Protestat ishin të dhunshme edhe këtë te enjte teksa qytetarët sulmuan zyrën qendrore të LVMH në Paris, e cila është një konglomerat, e përbërë nga 75 marka të veçanta kryesisht pije, modë e nivelit të lartë dhe prodhime kozmetike, në pronësi të njeriut më të pasur në botë, Bernard Arnault.
Ata kërkojnë që të pasurit të kontribuojnë më shumë në financimin e pensioneve, vetëm disa ditë pasi shefi i LVMH Bernard Arnault rrëzoi nga froni i njeriut më të pasur të botës Elon Musk. Më shumë se 100 protestues u mblodhën jashtë godinës, përpara se disa prej tyre të ngjiteshin edhe në katet e sipërme të saj.
Sipas sondazheve më të fundit në vend, Macron ka humbur ndjeshëm mbështetje pas kalimit të reformës në ligj, pa votën në parlament, ndërsa opozita franceze është rritur fuqishëm javët e fundit, me kundërshtinë që i bëjnë kësaj reforme.
Vala e fundit e protestave përfaqëson sfidën më të madhe ndaj autoritetit të Macron, që prej revoltës së jelekverdhëve, 4 vite më parë. Tashmë përfaqësuesit e sindikatave në vend presin vendimin e datës 14 prill, kur Këshilli Kushtetues do të vendosë për ligjin e pensioneve.