Aktualitet

500 skutera në Tiranë/Veliaj: Nuk ndotin mjedisin!

Janë 500 skutera të rinj që Bashkia e Tiranës dhe aplikacioni “Bin Bin” kanë shpërndarë kryesisht në kryqëzimet kryesore të qytetit, për të gjithë qytetarët që duan të lëvizin me një mjet ekologjik. Në prezantimin e projektit, kryebashkiaku Erion Veliaj këshilloi që përdorimi i skuterave të bëhet duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.

Tirana është bërë një qytet tejet turistik. Kjo do të thotë se qyteti, gjithmonë e më shumë do t’i ofrojë mjete të tilla edhe për një treg tjetër, ndërkombëtar. Pra, nuk është momenti për t’i vandalizuar, as për abuzim. Janë mjete që kushtojnë dhe duhen mirëmbajtur nga secili prej nesh, që t’i lëmë në të njëjtën gjendje që i gjetëm.

Na duhet një bashkëpunim si për çështje kundër vandalizimit, qoftë për çështje të sigurisë, jo vetëm mes bashkisë e “Bin-Bin”, por edhe me Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore, Policinë Bashkiake, për të edukuar si mund të përdoret ky mjet i ri, sepse ashtu si çdo mjet tjetër, mund të shërbejë për të bërë punë, por mund të kthehet edhe në një armë për të prishur punë në momentin që përdoret keq.

Skuterat përdoren për lëvizjet e vogla brenda qytetit, pa shkaktuar ndotje në qytet.

Bëhet fjalë të përdoren për lëvizjet e vogla brenda qytetit. Çdo ditë, në qytet kryhen 800 mijë segmente me makinë. Nga këto, 400 mijë segmente janë më pak se 1 km. Këto segmente mund të bëhen me biçikletë, mund të bëhen në këmbë, mund të bëhen me autobus e tani mund të bëhen edhe me skuter.

Edhe taksitë elektrike nuk i solli Zana e Malit, por bashkia vendosi që kush sjell makina elektrike, e merr licencën menjëherë. Vetëm ky ndryshim i legjislacionit e bën automatikisht Tiranën shumë herë më miqësore për taksitë elektrike dhe sot kemi thuajse 80% të flotës. Sigurisht, është edhe një mjet i pastër. Ka shumë njerëz që përdorin motor dhe mjete të tjera, disa prej tyre ndotin, janë me benzinë e naftë. Ky mjet është 100% i pastër, tha Veliaj.

Çdo mjet tjetër i transportit rrugor, edhe përdoruesit e skuterëve duhet të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Duhet të respektojmë sigurinë e përdorimi i kokores është absolutisht i nevojshëm dhe i këshillueshëm. Ky nuk është një mjet akrobatik. Ky është një mjet pune për të shkuar nga pika A te pika B, nëse pika A dhe pika B është një hapësirë e vogël dhe jo jashtë Tirane.

Eshtë shumë e rëndësishme që të zbatojmë atë që quhet “demokracia e rrugës”. Meqë paguajmë të gjithë taksa, të gjithë janë pronarë të rrugës, jo vetëm shoferët. Eshtë edhe në interesin e atyre që realisht kanë nevojë ta përdorin makinën, që t’i kenë këto lehtësime të trafikut, nga dikush tjetër që po tregohet shumë më miqësor, duke përdorur skuterin, biçikletën apo autobusin, – theksoi kryebashkiaku Veliaj.