Revista e famshme amerikane Rolling Stones, publikoi për herë të parë në vitin 2004 listën e 500 këngëve më të mira të të gjitha kohërave dhe e përditësoi atë jo më larg se viti 2021. Kjo ka qenë një listë e mirënjohur botërisht, e cila është përfolur për vite me radhë, derisa drejtuesit e revistës e gjykuan të arsyeshme që të bënin ndryshimet e nevojshme me prurjet më të reja muzikore.
Për të bërë vlerësimin e renditjes së kësaj liste, janë pyetur e anketuar mbi 250 artistë, muzikantë e producentë. Gjithsej janë sugjeruar mbi 4000 këngë. Në listën e vitit 2004, kishte një ndikim më të madh rryma rock dhe soul, ndërsa lista e vitit 2021 ka ndërthurur më shumë elementë të hip-hop, indie pop, reggae dhe R&B. Detaji i parë i cili bie në sy menjëherë është kreditet për tekstin, gjë që lë të nënkuptojë se ai është kriteri kryesor i vlerësimit. Rrjedhimisht, muzika vjen pas dhe për të shmangur favorizimin e kengëtarëve, ky element është lënë i fundit për tu vlerësuar.
Më datë 16 shkurt 2024, Rolling Stones vendosën të bënin edhe disa ndryshime të tjera, duke ripozicionuar disa prej këngëve aktuale apo duke debutuar këngë të reja të bashkangjitura në këtë listë. Këto janë këngët e pozicionimeve prej 11 deri në 50 nga lista e 500 më të mirave për vitin 2024:
11. The Beach Boys, ‘God Only Knows’
12. Stevie Wonder, ‘Superstition’
13. The Rolling Stones, ‘Gimme Shelter’
14. The Kinks, ‘Waterloo Sunset’
15. The Beatles, ‘I Want to Hold Your Hand’
16. Beyoncé feat. Jay-Z, ‘Crazy in Love’
17. Queen, ‘Bohemian Rhapsody’
18. Prince and the Revolution, ‘Purple Rain’
19. John Lennon, ‘Imagine’
20. Robyn, ‘Dancing on My Own’
21. Billie Holiday, ‘Strange Fruit’
22. The Ronettes, ‘Be My Baby’
23. David Bowie, ‘Heroes’
24. The Beatles, ‘A Day in the Life’
25. Kanye West feat. Pusha T, ‘Runaway’
26. Joni Mitchell, ‘A Case of You’
27. Bruce Springsteen, ‘Born to Run’
28. Talking Heads, ‘Once in a Lifetime’
29. Dr. Dre feat. Snoop Doggy Dogg, ‘Nuthin’ but a ‘G’ Thang’
30. Lorde, ‘Royals’
31. The Rolling Stones, ‘(I Can’t Get No) Satisfaction’
32. Notorious B.I.G., ‘Juicy’
33. Chuck Berry, ‘Johnny B. Goode’
34. James Brown, ‘Papa’s Got a Brand New Bag’
35. Little Richard, ‘Tutti-Frutti’
36. The White Stripes, ‘Seven Nation Army’
37. Prince and the Revolution, ‘When Doves Cry’
38. Otis Redding, ‘(Sittin’ On) the Dock of the Bay’
39. Outkast, ‘B.O.B.’
40. The Jimi Hendrix Experience, ‘All Along the Watchtower’
41. Joy Division, ‘Love Will Tear Us Apart’
42. Bob Marley and the Wailers, ‘Redemption Song’
43. The Temptations, ‘My Girl’
44. Michael Jackson, ‘Billie Jean’
45. Kendrick Lamar, ‘Alright’
46. M.I.A., ‘Paper Planes’
47. Elton John, ‘Tiny Dancer’
48. Radiohead, ‘Idioteque’
49. Lauryn Hill, ‘Doo Wop (That Thing)’
50. Daddy Yankee, ‘Gasolina’
Veçimi i 10 këngëve të para nuk është rastësor, pasi në radhë të njëpasnjëshme, do të kemi një shqyrtim më të detajuar të tyre. Një analizë e tillë gjithashtu krijon hapësirë për të kuptuar arsyen e kryesimit të këtyre projekteve në renditjen sipas artistëve të anketuar nga Rolling Stones. Ata kanë vlerësuar këto këngë si më të mirat përgjatë 3 viteve të fundit:
10. Outkast, ‘Hey Ya!’ (2003)
Ndër këngët më të njohura të dyshes afro-amerikane, “Hey Ya” shkrin disa rryma muzikore në një projekt të vetëm, duke krijuar një harmoni të jashtëzakonshme e cila, pa dashur, shkakton një shpërthim energjie pozitive ndoshta të pakuptimtë te një dëgjues.
Thuhet që është përfunduar brenda natës, me të gjithë komponentët e nevojshëm. Sado energjike mund të jetë si këngë, Outkast janë shprehur se mund të jetë “kënga më e trishtë në histori”. Megjithatë, në një botë si e ajo e fillimit të viteve 2000, ku të gjithë kërkonin për një justifikim për të festuar dhe kërcyer, fabula e këngës u la disi në harresë.
9. Fleetwood Mac, ‘Dreams’ (1977)
Këngëtares kryesore të bandës, Stevie Nicks, iu deshën vetëm 10 minuta për të sjellë në jetë historinë e saj mbase të trishtë se si u detyrua të hiqte dorë nga një dashuri e veçantë. “U shtriva mbi krevat me organon përpara meje, krijova një ritëm baterie, ndeza kasetofonin dhe e gjeta veten me një këngë të përfunduar”, tha ajo për revistën Blender. Ndonëse nuk e dinte, ajo do të ishte kënga e vetme e Fleetwood Mac e cila do të kryesonte në klasifikimet amerikane dhe një këngë që vazhdon të falë ndjesi të mira te brezat në vazhdim.
8. Missy Elliott, ‘Get Ur Freak On’ (2001)
Në vitin 2020, reperja me origjinë nga Virxhinia, dha një intervistë për Rolling Stones duke thënë se, së bashku me Timbaland, kishin konceptuar diçka shumë futuristike lidhur me projektin në fjalë. Askush nuk e priste që dyshja do të sillnin një frymë të tillë në hip-hop dhe për më tepër, askush nuk ka arritur ta kopjojë dot sinergjinë midis Missy Elliott dhe Timbaland. Ajo nuk i nënshtrohej kurrë rregullave të perceptimit ndaj këngëtareve femra, ashtu sikurse nuk bënte edhe muzika e saj. ‘Get Ur Freak On’ sot e kësaj dite vazhdon të jetë ndër këngët e saj më të suksesshme dhe ende përngjason me të ardhmen.
7. The Beatles, ‘Strawberry Fields Forever’ (1967)
John Lennon ishte një ndër njerëzit më në qendër të vëmendjes në vitin 1966, por ai shkroi këngën më “të vetmuar” në histori me ‘Strawberry Fields Forever’.
Ajo nisi një periudhë të re psikodelike për The Beatles, duke ndryshuar mënyrën sesi muzika pop dëgjohej dhe bëhej. Çdo gjë nisi nga Lennon kur ishte në një plazh spanjoll, me një kitarë akustike, duke shkruar një këngë për kujtimet e dhimbshme të fëmijërisë. Strawberry Fields ishte emri i një jetimoreje në Liverpool ku ai dikur luante dhe fshihej nga bota. “Kam vizione nga Strawberry Fields, sepse ai është çdo vend që do te shkosh” , tha Lennon për Rolling Stones. Ai kishte turp t’ia tregonte anëtarëve të tjerë të bandës, derisa e bëri, në studio ra një heshtje shurdhuese dhe më në fund, Paul McCartney tha “Kjo është brilante”.
6. Marvin Gaye, ‘What’s Going On?’ (1971)
“What’s Going On” është një lutje e brishtë për paqen mbi Tokë, e kënduar nga një burrë në kulmin e krizës. Marvin Gaye ishte ylli kryesor i zërave mashkullorë të shtëpisë diskografike Motown në vitin 1970, megjithatë po përballej me një frustrim emocional pasi mendonte se po luante një rol gati dytësor në hitet e tij. Me humbjen e partneres së tij të dueteve, Tammi Terrell, e cila u nda nga jeta në mars të atij viti për shkak të një tumori, Gaye ishte i mbërthyer në një martesë plot turbulenca me bashkëshorten e tij, Anna Gordy. I rrethuar nga këto probleme dhe presoni i eprorëve të tij për të kënduar projekte komerciale, Marvin Gaye zgjodhi të shkruante një këngë me referenca nga jeta aktuale, e cila mbetet një hit që i ka rezistuar kohës dhe një katarsis për kurimin e shpirtit.
5. Nirvana, ‘Smells like Teen Spirit’ (1991)
Producenti Butch Vig e dëgjoi për herë të parë “Smells like Teen Spirit” në një hambar në vitin 1991, në një kasetë të regjistruar prej basistit Krist Novoselic, bateristit Dave Grohl dhe këngëtarit/kitaristit/tekstshkruesit Kurt Cobain. Vig nuk mund të thonte se ky projekt do të ishte një sukses shpërthyes dhe nuk kishte siguri nëse do ta katapultonte Cobain nga një figurë e rrymës indie në një yll të Hollywood-it. Kënga në fjalë ishte përpjekja e Kurt Cobain për ta bërë muzikën e Nirvana t’iu fliste rinisë. Pavarësisht skepticizmit të Vig, Nirvana u detyruan dhe “torturuan” në njëfare mënyre për ta luajtur këtë këngë në çdo koncert të tyre. Cobain ishte i bindur që kishte edhe këngë më të mira se kaq, por shumë pak këngë nga artistë të ndryshëm e riformuan rock and roll në mënyrë aq të menjëhershme dhe përjetësisht.
4. Bob Dylan, ’Like a Rolling Stone’ (1965)
Bob Dylan ishte një njeri i sertë kur fliste për muzikën e tij. Pasi regjistroi hitin “Like a Rolling Stone” në qershor të vitit 1965, ai ishte i bindur që ishte puna e tij më e mirë. Në fakt, nuk ka ndonjë përshkrim më të mirë të kësaj kënge sesa vetë teksti, i cili reflekton revolucion muzikor, apo sesa vetë djali 24-vjeçar, që e krijoi.
“U mbylla në studio për të krijuar një ritëm të shoqëruar nga protesta ime e brendshme, të drejtuar nga sinqeriteti i plotë. Së bashku me kitaristin Mike Bloomfield, doja që të mos krijoja diçka tipike rock and roll – doja diçka tërësisht të re. Një frymë elektrizuese. Dhe mendoj se ia arrita qëllimit”, tha Bob Dylan në fund të vitit 1965.
3. Sam Cooke, ‘A Change Is Gonna Come’ (1964)
Në vitin 1963, Sam Cooke, një sensacion i rrymës soul të asaj kohe, u frymëzua nga Bob Dylan për të shkruar këtë hit që ballafaqonte diskriminimin racial. Në ndryshim nga Dylan, Cooke u përqëndrua në një gjuhë më personale, më klasike në himnin e tij. Një incident me pretekst racial shfaqet edhe në vargjet e kësaj kënge, ku Cooke së bashku me ekipin e tij u arrestuan në Louisiana për shqetësimin akustik ndaj rezidentëve të një hoteli të cilet, jo rastësisht ishin të bardhë. Një vit më vonë, Cooke u qëllua me armë zjarri në Los Anxheles dhe pas dy javësh, u publikua “A Change Is Gonna Come” , e cila u bë himni i tij i lamtumirës dhe deklarata për lëvizjen mbi të drejtat civile të njeriut.
2. Public Enemy, ‘Fight the Power’ (1989)
Kineasti Spike Lee iu kërkoi dyshes së hip-hopit Public Enemy që të shkruanin një këngë për filmin e tij “Do The Right Thing” , i cili fliste për mbizotërimin e racës së bardhë në keqshfrytëzim ndaj afro-amerikanëve. Reperët Chuck D dhe Flavor Flav ishin frymëzuar nga projekti i muzikantit Pete Seeger “We Shall Overcome” për të krijuar “Fight the Power” , një provë legjitimate e kërkimit të drejtësisë përmes muzikes, ashtu sikurse e quante Chuck D. Kjo këngë ishte pikërisht çka Lee kërkonte dhe u luajt pafundësisht sa herë që personazhi kryesor shfaqej në film. “Mendoj se ishte momenti kulminant i Public Enemy dhe Spike Lee, për shkak të faktit që ata rizgjuan komunitetin afro-amerikan për një revolucion të ngjashëm me atë të viteve 1960, ku ne kishim Martin Luther King dhe Malcolm X. Kjo bëri që të vihej në lëvizje çdo artist që i përkiste hip-hopit. Aty nisi revolucioni i vërtetë” , tha producenti Hank Shocklee.
1. Aretha Franklin, ‘Respect’ (1967)
Otis Redding e shkroi “Respect” dhe e regjistroi atë për një shtëpi diskografike në 1965. Megjithatë Aretha Franklin mori të drejtat e saj kur e këndoi për Atlantic Records në ditën e Shën Valentinit në vitin 1967. Një këngë e cila e pozicionoi Franklin në vendin e parë të klasifikimeve dhe që i dha titullin “Mbretëresha e Soul”. Në këngë ajo nuk përgjërohet, por vendos kushte – nëse e do, duhet ta meritosh. Aretha ishte epitomia e respektit që kërkonte pa u trembur dhe pa dyshim, i referohej edhe situatave në jetën e saj. Kjo këngë u klasifikua jo vetëm si një kontribut për lëvizjen e të drejtave civile, por edhe një zë mbi lëvizjet feministe. Në autobiografinë e saj, Franklin shkruan se kënga përfaqësonte “atë çka kërkonte çdo burrë e grua e thjeshtë, çdo mësues, çdo biznesmen, mama, zjarrfikës – Çdokush kërkon respekt”. Dhe ende e duan.
Muzika është ndër ato aspekte të jetës që ditë pas dite zhvillohet eksponencialisht. Ndryshimet e qasjes ndaj saj janë të dukshme, që nga tipologjia e muzikës së konsumuar vitet e fundit. Deri më tani, kjo renditje mund të konsiderohet edhe pranë të përsosurës. Pritet vetëm që Rolling Stones të bëjnë ndonjë ndryshim në këtë listë…ose jo.