Aktualitet Sociale

50 mijë studentë, mbështetje me bursa/Opozita kërkon depolitizim të sistemit arsimor!

Në Universitetin Politeknik të Tiranës u zhvillua ceremonia e hapjes së vitit të ri akademik 2024-2025, ku krahas studentëve, pedagogëve e drejtuesve të këtij institucioni të arsimit të lartë, mori pjesë dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Universiteti Politeknik i Tiranës është vendi ku dijet teknike dhe informacioni bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja. Në këto kohë të ndryshimeve të mëdha, nevojiten mendje të mprehta e kreative që t’iu përgjigjen sfidave të botës moderne, nga infrastruktura te teknologjia e gjelbër, nga ndërtimi i qyteteve inteligjente deri te menaxhimi i burimeve natyrore.

Ky është prej universiteteve tona që po përshtatet me shpejtësi me dinamikat e zhvillimit të vendit dhe me kërkesat e tregut të punës, jo thjesht për shkak të profileve të larmishme që ofron, mbi 80 programe studimi, por edhe për shkak të përqafimit të ideve të reja. Ngritjes së urave të komunikimit me homologët ndërkombëtarë, 6 programe diplomë të dyfishtë, programet master të delokalizuara dyfishe apo dhe më i riu, diploma katërfishe me universitete prestigjioze evropiane.

Manastirliu theksoi se sfida e Ministrisë së Arsimit nuk është vetëm një arsim i lartë cilësor i përshtatur me kërkesat e tregut të punës, por edhe mbështetja sociale për studentët.

Janë rreth 50,000 studentë që përfitojnë nga mbështetja me bursa, me tarifa të reduktuara apo dhe bursat që ne japim për studentët që studiojnë në programet prioritare. Për këtë vit, 100 bursa sa paga minimale do të jepen për programet prioritare tashmë të vendosura në universitetet, në të cilat do të alokohen këto bursa. Kemi prioritizuar degët që lidhen me Zhvillimin Rural, Shkencat e Natyrës, Zhvillimin Naval apo inxhinieritë.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi fillimin e vitit të ri akademik e akuzoi qeverinë se “ka goditur fort arsimin universitar duke tkurrur auditoret me axhendën e qëllimshme të shpopullimit, duke dëmtuar rëndë kërkimin shkencor me mosbuxhetimin e duhur dhe duke braktisur profesorët, që ende nuk kanë paga dinjitoze”.

Ndaj dhe viti i ri akademik nisi sot me protesta, të cilat i mbështes dhe i inkurajoj sepse është koha që zëri i studentëve e pedagogëve të dëgjohet fort. Depolitizimi i sistemit arsimor, veçanërisht çrrënjosja e “patronazhimit” është domosdoshmëri për rritjen e besimit dhe shpresës te të rinjtë tanë për të studiuar, qëndruar, ndërtuar jetën e karrierën e tyre në Shqipëri.