Bota

5 viktima nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor!

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë lënë të vrarë pesë persona, përfshirë djalin e një militanti të njohur që gjendet në burg. Izraeli po kryen kontrolle në shkallë të gjerë në territor në javët e fundit dhe thotë se këto operacione kanë për qëllim shkatërrimin e grupeve militante, si dhe parandalimin e sulmeve. Palestinezët i tremben faktit se po zgjerohet lufta në Gazë.

Sulmet ajrore të kryera gjatë natës në qytetin Tubas, në veri të Bregut Perëndimor, lanë të vrarë pesë persona, përfshirë shtetasin Mohammed Zubeidi, siç njoftoi sot Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Babai i tij, Zakaria Zubeidi është një komandant i njohur militant, i cili spikati gjatë kryengritjes të dytë palestineze në fillim të vitit 2000. Ndërkaq, mori pjesë në një arratisje nga burgu më 2011-ën, për t’u arrestuar disa ditë më vonë.

Ushtria izraelite informoi se ka kryer tre sulme ajrore në Tubas ndaj militantëve, për të cilët tha se kanë kërcënuar ushtarët izraelitë.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Lufta në Gaza vijon prej 7 tetorit të vitit të kaluar e pasoi sulmin e Hamasit në jug të shtetit hebraik.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme në vitin 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milion palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit ndërsa Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

Më shumë se 500 mijë kolonë hebrenj që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin, të cilat nga shumica e komunitetit ndërkombëtar konsiderohen si të paligjshme, janë me shtetësi izraelite.