Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC njofton se si rezultat i punës së pandërprerë të forcave operacionale u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 17 vatrave të zjarrit në territorin e vendit, por 5 të tjera ende janë aktive këto orët e fundit, referuar njoftimit zyrtar nga AKMC.
Në një informim publik për situatën e zjarreve në territorin e vendit, AKMC bëri të ditur se prej ditës së djeshme vazhdon puna nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj të bashkisë Tropojë.
100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve të nisura një ditë më parë, të forcave dhe kapaciteteve operacionale të pushtetit vendor, të mbështetura nga tre helikopterët e KFOR-it, bashkë me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.
Po ashtu, puna e vazhdueshme e forcave operacionale ka bërë që të shmanget përhapja e flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj e atë Torovicë në Bashkinë Lezhë, ku gjithashtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor, efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndër të tjera ka njoftime se po punohet nga forcat në terren, në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten të Vaut të Dejës në veri, si dhe në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku, të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror. Tymi ka mbuluar një pjesë të qytetit duke u bërë shqetësim për pushuesit. Po ashtu, po luftohet me flakët edhe në një vatër zjarri në Bashkinë Konispol, fshati Shalës.
AKMC-ja bën thirrje për angazhimin maksimal në menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri. Këtë apel ua drejton të gjitha institucioneve e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile, si dhe qytetarëve, që të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë që rezulton.