Politikë

5 deputetë në garë për bashkitë, zhgënjime, zëvendësime me rikthime

Socialisti Besjan Ajazi dhe demokrati Belind Këlliçi, të enjten morën pjesë në seancën e fundit plenare si deputetë. E hëna është afati i fundit që ata të dorëzojnë mandatin e tyre të parë që fituan me 25 prill të 2021, për t’i hyrë një gare tjetër asaj për të qeverisur bashk.

Dy vite në Parlament për Belind Këlliçin nuk ishin tabloja ideale që një i ri e mendon. Reflektimi i tij e ka shtyrë për të marrë vendimin që të dorëzojë mandatin si deputet për t’u përfshirë në garën lokale më të rëndësishme edhe politikisht, atë për Tiranën.

“Nuk ka qenë një eksperiencë e keqe, por ka qënë zhgënjyese. Kanë qenë dy vite larg nga ajo që unë kisha menduar. Në sallën e parlamentit shumë pak flitet për hallin e qytetarëve, gjuha vulgare, sherrnaja politike dhe fyerjet janë prezentë”.

Deputeti i mazhorancës Besjan Ajazi tregohet më i kujdesshëm, në pritje të zyrtarizimit të emrit nga kryesia e PS.E pranon që vendimi për garën në bashkinë e Gramshit ka ardhur pas shumë konsultimesh.

“Është kryesia që vendos. Pavarësisht se unë e kam bërë një bisedë paraprake me drejtuesin e qarkut dhe janë ndjekur procedurat partiake. Unë jam pyetur si deputet dhe si kandidat potencial, por këto janë në kuadrin e negociatave pasi është një vendim që do t’i takojë kryesisë”.

Mandatin e deputetit e dorëzoi edhe kandidati tjetër i primareve, demokrati Luçiano Boçi. Ai nuk ka asnjë dilemë për zgjedhjen e bërë ndërmjet Parlamentit dhe garës për drejtimin e bashkisë së Elbasanit.

“Politika është shërbim dhe detyrim ndaj votuesve, dhe mendova që këtë shërbim dhe detyrim e realizoj në një shkallë më të lartë, duke garuar në emër të tyre për bashkinë e Elbasanit”.

Me 14 maj sfida e demokratëve nuk është vetëm përballë socialistëve, por edhe ndaj demokratëve të Enkelejd Alibeajt. Por Belind Këlliçi është i sigurt se në Tiranë do të ketë një bashkim forcash nga të dyja grupimet e PD.

“100%. Demokratët kanë patur debate, por kur vjen puna për të bërë ndryshimin në Tiranë, demokratë dhe socialistë janë bashkë, jo vetëm demokratë”.

Gara bëhet për fitore, por humbja është pjesë e lojës. Luçiano Boçi dhe Besjan Ajazi nuk kanë bërë asnjë plan tjetër pas 14 majit përveçse drejtimit të bashkisë.

“Bashkia e Gramshit është fituar që nga viti 1991 e deri më sot. Ne vetëm do ta thellojnë rezultatin”, tha Ajazi.

“Kjo nuk është pyetje.Unë jam fitues në datën 14 maj”, u shpreh Boçi.

Në ndryshim nga dy kolegët e tij, Këlliçi sheh edhe përtej “timonit” të Bashkisë.

“Do të vazhdoj angazhimin tim në mbrojtje të Tiranës e qytetarëve çdo ditë të jetës sime aktive publike dhe politike”, tha ai.

Përpos Boçit, Këlliçit dhe Ajazit, edhe Benet Beci për PS në Shkodër, si dhe Zef Hila për Vaun e Dejës do të duhet të heqin dorë nga mandati i deputetit për të nisur punën si kandidat në bashkitë e tyre.

Largimi i deputetëve do të sjellë në Parlament 5 emra të rinj nga forcat e tyre politike. Sipas renditjes së numrit të votave të PD në Tiranë, Belind Këlliçin do ta zëvendësojë Asllan Dogjani. Në Elbasan Qani Xhafa do të marrë mandatin që ja “rrëmbeu” Luçiano Boçi me thyerjen e herësit 25 prillin e zgjedhjeve parlamentare. Në ulësen e Zef Hilës në Parlament radha për t’u ulur i takon Ludovik Hasanit.

Nga socialistët e Elbasanit, vendin e Besjan Ajazit në radhët e mazhorancës pritet ta zërë Shkëlqim Bullari, ndërsa Benet Beci i Shkodrës zëvendësohet me Ilir Beqajn, i cili zgjedh të marrë mandatin ose të mbajë drejtimin e agjencisë për koordinimin e donacioneve.