Rajoni

47 policë të plagosur në Maqedoninë e Veriut nga protestat kundër propozimit francez!

47 efektivë police u plagosën në protestat e mbrëmshme në Shkup, ku 11 prej tyre morën lëndime të rënda, ndërsa dy kolegë të tjerë janë në gjendje më kritike, në spital. Protestuesit kundërshtojnë propozimin francez që zgjidh mosmarrëveshjet Sofje-Shkup e mundëson heqjen e vetos bullgare që bashkë me Maqedoninë e Veriut, mban peng edhe rrugën europiane të Shqipërisë, duke mos iu hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Të dy vendet fqinje, nuk trajtohen si të ndara nga Unioni.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, policia u sulmua me sende të forta, fishekzjarre e bomba molotov, ndërsa situata u paraqit edhe më kritike para selisë së Parlamentit.

Protesta që degjeneroi në akte dhune nisi dje në orën 19:00, fillimisht para Qeverisë, për të vijuar më pas pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme ku po ashtu u shënuan akte dhune, ndërsa trazirat kulmuan para Kuvendit, përpara se turmat të shpërndaheshin rreth orës 22:30 të mbrëmjes.

Goditjeve me gurë, vezë, sende hekuri, pllaka, bomba molotov, kosha mbeturinash e mjete piroteknike, nuk iu shpëtuan as godinat e institucioneve, që pësuan dëmtime. Disa protestues u arrestuan nga policia në Shkup, por numri i tyre nuk është saktësuar ende. Mbrëmë ishte dita e katërt e protestës së përshkallëzuar para selisë së Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se ka marrë të gjitha masat për të zbardhur rastet e dhunës.

Partia e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Lidhja Social Demokrate Maqedonase, LSDM në pushtet reagoi duke i dënuar protestat, për të cilat tha se janë të organizuara nga VMRO-DPMNE dhe grupi prorus “Levica” (E Majta).

Sërish ishim dëshmitarë për mënyrën si banditët me kapuçë sulmuan policët, hodhën lëndë djegëse, gjuajtën me gurë pjesëtarët e policisë maqedonase dhe tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend. Ne pamë skena të ngjashme me 27 prillin e zi dhe e dimë se çfarë do të thotë.

VMRO-DPMNE dhe e majta pro-ruse duan të destabilizojnë vendin, ta dëmtojnë atë dhe në këtë mënyrë të punojnë për qendrat e pushtetit që nuk mendojnë mirë për vendin dhe popullin tonë e nuk duan që vendi të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Të mos tentojnë të përsërisin ndërhyrjen e 27 prillit! Këtë nuk do ta lejojmë!