Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Europian sot mbështeti vendimin e vitit 2018 të Brukselit zyrtar për t’i vendosur kompanisë amerikane të teknologjisë “Google” një gjobë “antitrust”, ndërsa ka reduktuar shumën nga 4.34 miliardë euro në 4.125. Në njoftimin e Komisionit Europian thuhet:
Dega ekzekutive e Bashkimit Europian akuzoi “Google” dhe kompaninë e saj mëmë “Alphabet” se kanë shkelur rregullat e konkurrencës së bllokut në pajisjet “Android”.
Komisioni argumentoi se “Google”e ka përforcuar në mënyrë të paligjshme dominimin e tij duke ofruar “Google Search” për prodhuesit e telefonave celularë vetëm si një paketë me aplikacionet e tjera të “Google”, duke i paguar ata për instalimin paraprak të “Google Search” si aplikacioni i vetëm i kërkimit dhe duke penguar zhvillimin e aplikacioneve konkurruese.
Në një tjetër zhvillim, Koreja e Jugut gjobiti platformën Alphabet të Google dhe ato të Meta-s, pas akuzave se kompanitë shkelën ligjet për privatësinë. Përmes një deklarate, Komisioni për Mbrojtjen e Informacioneve Personale njoftoi se Google u gjobit me 50 milion dollarë, ndërsa Meta me 30.8. As Google dhe as Meta ende nuk e komentuan vendimin e Seulit.
Paneli për privatësi tha se këto kompani nuk i kanë informuar qartë përdoruesit e shërbimeve të tyre dhe nuk kanë marrë pëlqim paraprak për mbledhjen e analizimin e të dhënave që nxjerrin në pah interesat e përdoruesve. Koreja e Jugut shprehet se po ashtu, këto firma nuk i kanë informuar përdoruesit se informacionet e nxjerra do t’i përdornin për reklama të personalizuara.