Sheshi “Skënderbej” u mbush mbrëmë me mijëra qytetarë, politikanë, zyrtarë e diplomatë që festuan hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA. Në skenën e dizajnuar me yjet e flamurit europian, me në sfond statujën e heroit kombëtar Skënderbeu, përformuan zërat më të dashur të muzikës shqiptare: si Alban Skënderaj, Ylli Limani, Elton Deda, etj. Interpretimet u alternohen me mesazhet e personazheve nga politika shqiptare, europiane dhe amerikane.
“Ne kemi fatin dhe mundësinë të jetojmë në të përpjetën drejt majës ku Shqipëria e ka vendin e saj natyral, nën qiellin e Europës së Bashkuar”, ishte video-mesazhi i kryeministrit Edi Rama për qytetarët nga festa në sheshin Skënderbej për 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA dhe Shqipërisë, dhe çeljen e negociatave.
Rama përmendi rrugën e vështirë dhe të lodhshme që pati Shqipëria deri në mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare duke thënë se nga vendi më i varfër, arriti të zhvillohej e të fitonte respekt në arenën ndërkombëtare. Kryeministri u ndal edhe komentet për protestat e opozitës që brohorisnin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” duke thënë se patën ndikim në këtë rrugë së bashku me ata që punuan me durim të madh që Shqipëria të arrinte aty ku është sot.
Një mesazh e kishte edhe presidenti Bajram Begaj, i cili tha se është i bindur që do të kemi shumë vështirësi, por vetëm falë punës do arrijmë t’i përballojmë dhe të zhvillojmë vendin tonë.
“E sotmja është një mbrëmje feste, pasi rikonfirmojmë rrugën e pakthyeshme evropiane dhe partneritetin me aleatin tonë prej një shekulli.
Jam i vetëdijshëm se 10 ditë më parë, me vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në rrugën që kemi zgjedhur, në rrugën e bashkimit në një federatë popujsh e kombesh që u krijua si bashkim vullnetesh – e vetmja në histori deri më sot – do të ketë ndryshime jo vetëm në rrafshin politik e shtetëror, por edhe në koncepte të tilla themelore si pavarësia e identiteti.Duke promovuar identitetin tonë kombëtar, faktorin më të rëndësishëm historik e kulturor, që nuk njeh kufij dhe nuk ka pengesë për t’u lartësuar, shqiptarët do të jenë qytetarë dhënës në qytetërimin europian. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë, dhe më shumë akoma, jam i vetëdijshëm për vështirësitë që do të na duhet të përballojmë. Por, nëse punojmë të gjithë duke patur në mendje dhe në zemër Shqipërinë, interesin kombëtar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e të brezave të tjerë që do të vijnë, jam i bindur, se jo vetëm vështirësitë do t’i përballojmë, por atdheu ynë do të përparojë e zhvillohet.
28 korriku është një datë shumë e rëndësishme edhe për popullin shqiptar dhe atë amerikan, si dy popuj që i bashkojnë vlerat, parimet. Në 100 vite, SHBA kanë qenë aty për ne, duke mbështetur cdo hap të Shqipërisë drejt transformimit demokratik dhe drejt rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nën modelin e demokracisë amerikane dhe unitetin e familjes evropiane, Shqipëria ka nevojë për përkushtimin tonë, ka nevojë për ndershmërinë tonë, ka nevojë për punën dhe besimin e të gjithëve ne, ka nevojë për dashurinë tonë. Është koha t’ia japim ato pa asnjë rezervë, pa u lodhur, por me devocion e përkushtim”, tha Begaj.
Qindra qytetarë u mblodhën në sheshin Skënderbej për të ndjekur koncertin që organizoi kryeministri Edi Rama së bashku me Bashkinë e Tiranës. Festës iu bashkua edhe ambasadoja amerikane Yuri Kim, e cila qëndroi pranë ministrave. Ndërsa kryeministri Rama mbërriti i shoqëruar nga partnerja e tij Linda Rama. Kamera fiksoi edhe momentin e përqafimit të Ramës me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën.
Të pranishëm ishin edhe deputetë e ministra që nuk hezituan të bënin video e selfie nga festa teksa kërcebub nën ritmet e performancave të artistëve si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Xhensila Myrtezaj, Ciljeta, Threedots, Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Fifi dhe Flori Mumajesi.
Në këtë festë nuk mungoi transmetimi i mesazheve të presidentit të SHBA, Joe Biden për 100 vjetorin e marrëdhënieve të SHBA me Shqipërinë si dhe mesazhi i Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel për çeljen e negociatave. Pak para se të niste festa e madhe, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli për Report Tv duke dhënë një koment për opozitën, për të cilët tha se kanë hall të madh.
Koncerti u mbajt në kuadër të dy ngjarjeve speciale, 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA si dhe hapjen e negociatave me BE. Më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare.
Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Fillimisht marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve ishin vendosur më 28 korrik 1922. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA fillojnë në vitet e hershme të shekullit të XX, kur Presidenti amerikan Woodrow Willson i ofroi mbështetjen e nevojshme dhe të domosdoshme shtetit të ri shqiptar, për njohjen e tij.