Aktualitet Politikë

Shqipëria ulet sot në tryezën e negociatave të anëtarësimit, Edi Rama: Të gjithë ndihemi krenarë!

Pak para nisjes së takimeve për konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE, kryeministri Edi Rama thotë se vendi ynë sot duhet të ndihet krenar. “Shqipëria e të gjithëve ne, e Skënderbeut, e rilindasve, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj” shkruan Rama në rrjete sociale.

‘MIRËMËNGJES

Me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj’- shkroi Rama.

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, zhvillohet 16 vite nga firmosja e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, dhe 8 vite nga marrja e statusit të vendit kandidat por edhe disa vite pritje.

I kryesuar nga Kryeministri Rama, delegacioni shqiptar përbëhet nga 25 figura të qeverisë e të administratës që janë kyç në procesin e integrimit, si kryediplomatja Olta Xhaçka apo kryenegociatori Zef Mazi.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë.

Sofia dhe Shkupi prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.