Bota

44% e llojeve të koraleve të ujërave të ngrohta janë në prag të zhdukjes!

Pothuajse gjysma e llojeve të koraleve që ndërtojnë shkëmbinj nënujorë në ujërat e ngrohta, po rrezikohen me zhdukje, kanë paralajmëruar grupet e mbrojtjes së mjedisit. Kjo u bë e ditur nga pjesëmarrësit e konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Baku. Para konferencës COP29 në Azerbajxhan u analizua statusi i ruajtjes së të gjitha 892 llojeve të përfshira në Listën e Kuqe të llojeve të rrezikuara të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Koralet jetojnë në habitate të cekëta e të ngrohta, duke krijuar shkëmbinj nënujorë shumëngjyrësh që gjenden në zonat oqeanike tropikale dhe subtropikale. Shkëmbinjtë nënujorë të koraleve, të cilat janë krijuar për dhjetëra mijëra vjet, janë ndër ekosistemet detare më të larmishme. Analiza e IUCN-së tregoi se 44% e tyre, ose pothuajse gjysma, janë të kërcënuara, një rritje nga një e treta e vitit 2008, kur koralet që ndërtojnë shkëmbinjtë nënujorë u vlerësuan për herë të fundit për Listën e Kuqe të bimëve, kafshëve dhe ekosistemeve të rrezikuara.

“Ky vlerësim global i koraleve ilustron qartë ndikimin serioz të njeriut në klimë, i cili po ndryshon me shpejtësi jetën në Tokë dhe nënvizon seriozitetin e pasojave”-tha Grethel Aguilar, drejtoresha e IUCN-së.

Ekosistemet e shëndetshme si shkëmbinj nënujorë koralor janë thelbësor për jetën e njerëzve, për furnizimin me ushqim, stabilizimin e brigjeve dhe ruajtjen e karbonit; mbrojtja e biodiversitetit tonë nuk është vetëm për mirëqenien tonë, por për mbijetesën tonë. Duhet të ndërmarrim hapa të guximshëm e vendimtarë për të ulur emetimet e gazeve serrë, nëse duam të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për njerëzimin.

Përveç ndryshimeve klimatike, në ekosistemet koralore ndikojnë edhe ngjarje të tjera negative si zbardhja, ndotja, derdhja e mbetjeve bujqësore në dete e oqeane, sëmundje të ndryshme dhe peshkimi i paqëndrueshëm. Ndër llojet e analizuara janë koralet “brirë dreri” (Acropora palmata) dhe Acropora cervicornis, dy lloje të rrezikuara kritike të Karaibeve, popullatat e të cilave janë zhdukur pothuajse plotësisht nga shkëmbinjtë nënujorë për shkak të ngrohjes së shpejtë, ndotjes së ujit, uraganeve dhe sëmundjeve të rënda të koraleve.

Në vazhdim janë edhe vlerësimet për koralet e ujërave të ftohta që gjenden në ujërat e thella dhe të ftohta në të gjithë botën dhe që nuk varen nga drita e diellit, të cilat rrezikohen nga peshkimi i tepërt, veçanërisht ai me rrjeta, nga minierat në det të thellë, shpimi për naftë dhe gaz, apo vendosja e kabllove nënujore të thella. Rikujtojmë se shkencëtarët thanë se kanë zbuluar koralin më të madh në botë afër Ishujve Solomon në Paqësor, duke thënë se ai është “plot jetë dhe me ngjyra”. Korali i zbuluar është aq i madh saqë hulumtuesit, që po bënin kërkime në ujërat e kristalta të arkipelagut të Solomonit, fillimisht menduan se hasën në një anije të fundosur. “Kur ne menduam se nuk ka mbetur asgjë tjetër për t’u zbuluar në planetin Tokë, ne gjetëm një koral masiv të bërë nga gati 1 miliard polipe të vogla, që pulson me jetë dhe ngjyra”-tha ekologu detar, Enriv Sala.