Bota

4 ushtarë izraelitë të vrarë gjatë një sulmi të Hezbollahut!

Konfirmohen 4 ushtarë izraelitë të vrarë dhe 7 të plagosur nga sulmi me dronë i një dite më parë që u krye nga Hezbollahu në një bazë ushtarake në Izraelin qendror. Kjo është goditja më vdekjeprurëse e kryer nga grupi militant libanez pro-iranian, që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban, dy javë më parë.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara e pjesërisht nga Bashkimi Europian që në listë të zezë ka vetëm krahun e armatosur të tij, por jo edhe partinë që përfaqësohet me një deputet në Parlamentin e Libanit.

Hezbollahu tha se sulmi afër qytetit Binjamina ishte në shenjë hakmarrjeje për bombardimet ajrore izraelite në Bejrut më 10 tetor kur u vranë 22 persona. Më vonë, grupi njoftoi se kishte shënjestruar brigadën elitë “Golani” të Izraelit, duke lëshuar dhjetëra raketa. Paralelisht kreu sulme me dronë.

Shërbimi Kombëtar i Shpëtimit në Izrael raportoi se gjatë sulmit u plagosën 61 vetë. Për shkak të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore që ka shteti hebraik është e rrallë që kaq shumë njerëz të plagosen gjatë sulmeve me dronë apo raketa.

Në një vit, Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr thuajse çdo ditë, që kur ka nisur lufta në Gazë. Por luftimet e fundit janë përshkallëzuar. Izraeli nisi një operacion tokësor në Liban më herët gjatë këtij muaji, me qëllim që të dobësojë Hezbollahun e të dëbojë grupin militant nga kufiri e të mund të kthehen në shtëpitë e tyre mijëra izraelitë të zhvendosur.

Sulmi vdekjeprurës i Hezbollahut në Izrael u krye në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë në Izrael një sistem të ri të mbrojtjes ajrore, për të ndihmuar Izraelin që të forcojë mbrojtjen ndaj sulmeve me raketa. Por ushtria izraelite nuk pranoi të tregonte se kur do të pranonte këtë sistem të ri kundërajror.

Izraeli po lufton me Hamasin, grupin palestinez të shpallur “terrorist” nga Amerika dhe BE-ja në Gaza e me Hezbollahun në Liban. Ato mbështeten nga Irani. Izraeli pritet të sulmojë Republikën Islamike në shenjë hakmarrjeje për një sulm raketor të kryer nga Teherani ndaj Izraelit më herët gjatë këtij muaji. Irani u zotua të përgjigjet ndaj çdo sulmi izraelit.