Politikë

Përjashtoi Berishën nga PD, Basha publikon sot emrat e 5004 delegatëve të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të bëjë sot publike emrat e 5 mijë e 4 delegatëve që ishin dje pjesë e Kuvendit Kombëtar.

Një ditë më parë, Basha tha se “Para çdo shqiptari do të hidhet poshtë çdo trillim, duke bërë transparent emrat e delegatëve të pranishëm”.

Kujtojmë se me sloganin “Zgjedhim te ardhmen”, Basha mblodhi dje Kuvendin Kombëtar për të riorganizuar opozitën pas krizës së krijuar menjëherë pas përjashtimit të ish-kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i shpallur “non grata” nga SHBA.

Ky Kuvend u mbajt një javë pasi ish-kryetari Sali Berisha me mbështetës të tij mbajtën një tjetër Kuvend, ku deklaruan se kanë shkarkuar kryetarin aktual Lulzim Basha dhe zëvendësit e tij.

Ndërkohë, dje paralelisht, u votua për referendumin për shkarkimin e Bashës nga detyra e kreut të PD-së, iniciativë e ndërmarrë kjo nga Berisha dhe grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Vendimet që u morën dje në Kuvendin e Bashës

Të pranishmit votuan përmes ngritjes së kartonëve jeshilë, duke miratuar një rezolutë e cila nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha në 11 dhjetor. Po ashtu, u votua edhe një akt tjetër, i cili lë jashtë forumeve të partisë personat e lidhur me komunizmin dhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Ky dokument u bë posaçërisht për Berishën, duke e përjashtuar kështu nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat, forume ku Berisha ishte anëtar për shkak të detyrës si ish kryeministër.

Gjithsesi, Berisha vijon të jetë anëtar i thjeshtë i PD-së dhe ndaj tij nuk u mor ndonjë vendim përjashtues total. Basha ndoqi punimet e Kuvendit edhe pas fjalës së tij, duke u përballur edhe me kritika nga bashkëpunëtorët. Kuvendi zgjati 7 orë, dhe u zhvillua një javë pas Kuvendit të organizuar nga ish-kryeministri Berisha, i cili fillimisht votoi për shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, ndërsa dje kishte thirrur referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës.