Bota

37 palestinezë të vrarë në Gaza në sulmet e fundit izraelite!

Orët e fundit, granatat dhe sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 37 persona, shumica të strehuar në tenda, jashtë qytetit jugor të Gazës, Rafah. Sulmet u kryen në të njëjtën zonë ku ndodhën bombardimet ajrore që shkaktuan një zjarr vdekjeprurës ditë më parë në një kamp të të zhvendosurve palestinezë, siç raporton Associated Press.

Zjarri në kamp nxiti zemërim ndërkombëtar, përfshirë edhe të disa prej aleatëve më të ngushtë të Izraelit, lidhur me zgjerimin e ofensivës ushtarake në Rafah. Ushtria izraelite sugjeroi se zjarri i së dielës në kampin me tenda u shkaktua nga shpërthimet dytësore, me gjasa nga armët e militantëve palestinezë.

Ushtria izraelite theksoi se shkaku i zjarrit ende po hetohet, por zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, deklaroi dje se municionet izraelite që u përdorën, nuk ishin aq të mëdha sa të justifikonin burimin e zjarrit.

Sulmi i Izraelit në Rafah, i nisur më 6 maj, shtyu më shumë se 1 milion persona të largoheshin nga qyteti, referuar shifrave nga agjencia e Kombeve të Bashkuara që ndihmon refugjatët palestinezë. Shumica e tyre është zhvendosur disa herë për shkak të luftës mes Izraelit e Hamasit e që nisi pothuajse tetë muaj më parë.

Sulmet e ditëve të fundit kanë goditur zona në perëndim të Rafahut, aty ku ushtria izraelite nuk ka urdhëruar civilët që të evakuohen. Trupat tokësore izraelite dhe tanket janë duke operuar në lindje të Rafahut, në pjesët qendrore të qytetit dhe përgjatë kufirit Gaza-Egjipit.

Granatat e mbrëmjes të hënën e në orët e para të ditës martës në perëndim të Rafahut vranë të paktën 16 persona, siç u shpreh Mbrojtja Civile palestineze dhe Gjysmëhëna e Kuqe palestineze. Shtatë nga të vrarët ishin në tenda, rreth 200 metra nga vendi i sulmit të dielën e kaluar.

SHBA-të dhe aleatët e tjerë të Izraelit kanë paralajmëruar kundër një ofensive në shkallë të plotë në këtë qytet. Një ofensivë të tillë, Shtetet e Bashkuara e quajnë si “vijë të kuqe”, duke thënë se do të bënte që Uashingtoni të ndalte furnizimin me armë sulmuese për Izraelin.

Por më herët, Shtëpia e Bardhë deklaroi se nuk planifikon ndryshim të politikës si rezultat i veprimeve të Izraelit. Gazetarëve, zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, iu tha se “Izraeli nuk e ka shkelur “vijën e kuqe” të presidentit Joe Biden, për ndalimin e armëve sulmuese në të ardhmen”, sepse sipas SHBA-ve, nuk do të nisë një pushtim tokësor në shkallë të plotë, në qytetin jugor të Gazës.