35 të vdekur e 43 të plagosur është bilanci tragjik i përplasjes së një makine me një turmë njerëzish që po stërviteshin në një stadium në Zhuhai të Kinës, pamjet e të cilit janë përhapur në rrjetet sociale, duke shkaktuar tronditje në mbarë botën.
Drejtuesi i mjetit, një mashkull 62-vjeçar i quajtur Fan, dyshohet se ka drejtuar qëllimisht fuoristradën duke goditur traun ndarës e duke hyrë në Qendrën Sportive Zhuhai në atë që policia lokale e përshkroi si një sulm serioz e të një egërsie të skajshme.
Mediat kineze raportuan se mes të plagosurve ishin shumë të moshuar, si dhe adoleshentë e fëmijë.
Fan u arrestua teksa po përpiqej të arratisej, e aktualisht, sipas policisë, është në gjendje kome për shkak të plagëve të vetëshkaktuara.
Incidenti ndodhi pavarësisht një sigurie të shtuar në qytet ku pritet të organizohet një show i madh ajror civil e ushtarak.
Hetimet fillestare tregojnë se sulmi erdhi si pasojë e pakënaqësisë së 62-vjeçarit me rezultatin e një marrëveshjeje pronësie pas divorcit të tij. Por për shkak të gjendjes së tij, ai për momentin nuk mund të merret në pyetje nga autoritetet.
Shumica e videove të incidentit të postuara nga dëshmitarët okularë u fshinë në mediat sociale kineze nga censuruesit e internetit, megjithatë disa pamje që kanë vazhduar të qarkullojnë tregonin njerëz të shtrirë në tokë, ekipe mjekësore të urgjencës si dhe kalimtarë të rastit, që duken të shokuar.