Aktualitet Politikë

33-vjetori i PS-së, Rama: Mishërim i Shqipërisë Europiane!

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uron 93 mijë anëtarët e Partisë Socialiste në 33-vjetorin e forcës politike në pushtet. Numri një i PS-së thekson se simpatizantët e zgjedhësit e kanë bërë PS-në forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore.

Rama gjithashtu uroi popullin e Kosovës për 25-vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mirëmëngjes me një përqafim çdonjërit prej 93 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste në këtë 33 vjetor të lindjes së saj, si edhe me një falënderim plot mirënjohje për simpatizantët e zgjedhësit që e kanë bërë partinë tonë forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore, si edhe gjithashtu me një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, – shkroi Rama në rrjetet sociale.

Partia Socialiste u krijua më 12 qershor të vitit 1991 në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë. Partia e Punës e Shqipërisë fitoi zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, të parat e mbajtura pas rrëzimit të sistemit diktatorial në vend.

Përveç ndryshimit të emrit nga PPSH në PSSH, ky Kongres miratoi dhe një sërë dokumentesh të tjerë reformues. Aktualisht, Partia Socialiste është forcë e parë në 93% të këshillave bashkiakë ose në 57 bashki nga 61 që janë gjithsej e është në mandatin e 3-të qeverisës.