Bota

30 të lënduar nga turbulencat në fluturim të një avioni nga Madridi!

Saktësohet se janë 30 persona të lënduar nga ngjarja që shkaktoi panik një ditë më parë. Një fluturim që u godit nga turbulenca të forta bëri ulje emergjente në Brazil. Boeingu 787-9 i kompanisë “Air Europa” po fluturonte nga kryeqyteti spanjoll Madrid për në Montevideo, në kohën kur ndodhi incidenti në ajër, siç njoftuan burime zyrtare të linjës ajrore.

Fluturimi UX045 u devijua në aeroportin e Natalit në Brazilin verilindor, ndërsa destinacion kishte kryeqytetin uruguaian, bëri të ditur kompania spanjolle, në platformën X.

Më tej, vuri në dukje se pasagjerët që pësuan lëndime, “po merrnin trajtim të specializuar”. Avioni me 325 pasagjerë në bord, u përplas me turbulencat mbi Atlantik, kur gati po i afrohej bregut brazilian, konfirmoi një zëdhënës i “Air Europa”-s.

Për fat të mirë, avioni arriti të ulej normalisht dhe u prit nga autoambulancat që shkuan me shpejtësi në vendngjarje. Zyrtarët e aeroportit thanë se disa pasagjerë kishin nevojë për ndihmë mjekësore dhe u dërguan në spitalin më të afërt.

Incidenti ndodh disa javë pasi një fluturim i kompanisë “Singapore Airlines” po ashtu u godit nga turbulenca të rënda mbi Mianmar, duke shkaktuar vdekjen e një pasagjeri dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Turbulencat e forta janë të rralla, por studimet e fundit kanë treguar se ndryshimi i klimës mund që të rrisë rrezikun.