Vendimi i Gjermanisë për të vendosur kontrolle të përkohshme në të gjithë kufijtë e saj tokësorë ka shkaktuar reagime të forta nga vendet fqinje evropiane. Ky hap, që zgjeroi kontrollet tashmë të vendosura në disa kufij, është justifikuar nga Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, si një masë për të frenuar migrimin e paligjshëm.
Kryeministri polak Donald Tusk e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm, duke theksuar se ai nënkupton një pezullim të gjerë të zonës Shengen. Ai njoftoi se Polonia do të kërkojë konsultime urgjente me vendet e tjera të prekura nga ky vendim për të shqyrtuar hapat e mundshëm brenda Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm i Austrisë, Gernard Karner, e kritikoi vendimin e Gjermanisë si të paligjshëm dhe deklaroi se Austria nuk do të pranonte emigrantët e refuzuar nga Gjermania. Megjithatë, ai shprehu miratimin për përpjekjet e Gjermanisë në trajtimin e migrimit të paligjshëm, duke theksuar rëndësinë e masave për të luftuar këtë problem.
Faeser njoftoi se kontrollet e kufijve janë në fuqi që nga dita e djeshme dhe përfshijnë kufijtë me Çekinë, Poloninë, Austrinë dhe Zvicrën. Ajo theksoi se janë kryer 30 mijë dëbime dhe një operacion i madh deportimi dhe riatdhesimi është në zhvillim.
Mbyllja e kufijve, e cila është e parashikuar të zgjasë për gjashtë muaj, ka ngritur shqetësime për unitetin e Bashkimit Evropian. Si motor ekonomik i BE-së, Gjermania ndan kufij me më shumë vende se çdo shtet tjetër anëtar.
Ky vendim vjen pas sulmeve të rënda që kanë përfshirë emigrantë, duke përfshirë një sulm vdekjeprurës në Soligen nga një azilkërkues sirian dhe një sulm tjetër në qershor nga një emigrant afgan.