Vitet e fundit, bizneset shqiptare po e konsiderojnë mungesën e punonjësve si shqetësim kryesor të aktivitetit të tyre. Për të plotësuar hendekun, shumë janë drejtuar në tregjet aziatike dhe afrikane për tí gjetur, por disa të tjerë po shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale në vend të njerëzve.
Anketa që zhvilloi Barometri i Ballkanit tregon se 3% e bizneseve të anketuara në vendin tonë pohuan se kanë zëvendësuar punonjësit me Inteligjencën Artificiale. Gjithashtu, 3% e bizneseve në Kosovë dhe Malin e Zi i kishin zëvendësuar njerëzit po me Inteligjencën Artificiale.
Të dhëna të brendshme referojnë se vitet e fundit, nën presionin e mungesës së punonjësve, bizneset po nxiten të përdorin teknologjinë në të gjithë sektorët që nga bujqësia, industria e shërbimet.
Industria është një nga përfitueset e mëdha të teknologjisë, pasi njësitë e prodhimit, të cilat e kanë ndjerë më së shumti mungesën e fuqisë punëtore, vitet e fundit kanë investuar në teknologji robotike, teksa përdorin edhe Inteligjencën Artificiale për marketing e për të rritur produktivitetin.
Projeksionet globale tregojnë se Inteligjenca Artificiale do të bëhet një zëvendësues i madh i vendeve të punës në të ardhmen. Më herët këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN lajmëroi se Inteligjenca Artificiale do të prekë pothuajse 40% të vendeve të punës në mbarë botën, duke zëvendësuar disa, si dhe duke plotësuar të tjerat.
Ne kemi nevojë për një ekuilibër të politikave për të shfrytëzuar potencialin e ri, u shpreh nëpërmjet në blogu, Kristalina Georgieva, Drejtoreshë Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN.
Ajo tha se “bota është në prag të një revolucioni teknologjik që mund të nxisë produktivitetin, rritjen globale dhe të rrisë të ardhurat në mbarë botën. Megjithatë, mund të zëvendësojë vendet e punës dhe të thellojë pabarazinë”.
Përparimi i shpejtë i inteligjencës Artificiale ka mahnitur botën, duke ngritur pyetje të rëndësishme në lidhje me ndikimin e mundshëm në ekonominë globale. Efekti neto është i vështirë për t’u parashikuar, pasi Inteligjenca Artificiale pritet që t’i prekë ekonomitë në mënyra komplekse./Monitor