Kap shifrat e 3.8 miliardë lekëve, projektbuxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 e konsiderohet më i madhi në historinë e këtij dikasteri ndërsa mbështet shërbimin e jashtëm dhe angazhimin në nismat rajonale e programet e Bashkimit Europian.
Në komisionin për Çështjet Europiane, kryediplomati Igli Hasani raportoi mbi objektivat kryesore të projektbuxhetit 2025 për këtë ministri dhe u shpreh se ai mbështet politikat e strategjitë kyçe të diplomacisë shqiptare. Hasani theksoi se “buxheti 2025 është rritur me 635 milion lekë ose 20% më shumë krahasuar me buxhetin aktual”.
Kjo tregon angazhimin e palëkundur për forcimin e diplomacisë. Në këtë buxhet përfshihet mbështetja për përfaqësitë e reja diplomatike e konsullore, forcimi i marrëveshjeve për asociim-stabilizim me BE-në e vendet e rajonit, forcimi lidhjeve me BE-në dhe organizmat ndërkombëtare, si dhe mbështetje për diasporën.
Kryediplomati shqiptar theksoi se ky buxhet mbështet edhe përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike. Duke u ndalur te investimet, Hasani theksoi se “përfshijnë projekte inovative, si modernizimin e shërbimit konsullor online dhe sistemin e-Viza, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit”.
Hasani shtoi se buxheti mbështet diasporën për të forcuar lidhjet kulturore dhe ekonomike.
Ndër objektivat për 2025-ën janë avancimi i integrimit, pjesëmarrje aktive në nisma rajonale, ruajtja e profilit të Shqipërisë dhe angazhimi në organizata ndërkombëtare, thellimi i marrëdhënieve me SHBA-të, BE-në e Mbretërinë e Bashkuar e vendet fqinje Itali e Greqi dhe po ashtu Turqinë për të forcuar sigurinë e zhvillimin ekonomik. Gjithashtu mbështetjen e Kosovës dhe faktorit shqiptar duke kontribuar me dialog konstruktiv e bashkëpunim të ngushtë.
Hasani theksoi se për vitin 2025 do të hapen 4 ambasada të reja, konkretisht në Bosnjë, Indi, Indonezi e Kenia.
Kjo po bëhet në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe në avancimin me integrimin në BE.
Lidhur me synimin për integrimin e vendit brenda 2030-ës, Hasani u shpreh se vitin e ardhshëm do të hapen edhe negociatat për 2 grupkapitujt e tjerë.
Do të hapim ambasada të reja në Bosnjë-Hercegovinë, Indi, Indonezi e Kenia dhe konsullata në disa destinacione strategjike. Duke forcuar rolin e Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Kemi synim arritjen e misionit për 2030-ën për ta çuar vendin në BE, transformimin dhe integrimin, për të hapur 2 grupkapituj të rinj deri në fund të vitit të ardhshëm. Të ndërtojmë imazh të fortë e të besueshëm për Shqipërinë dhe ne jemi të angazhuar. Kemi plan të qartë që Shqipëria të realizojë aspiratat europiane. Ky është një rrugëtim i gjatë por jemi të bindur se do e realizojmë deri në vitin 2030.