Live From Tirana Music Showbiz

Albërije Hadërgjonaj zbulon mes emocionesh prapaskenat e hiteve muzikore

E ftuar në “Live From Tirana”, në të mërkurën artistike, ishte këngëtarja e mirënjohur Albërije Hadërgjonaj, e cila gjendej pranë mikrofonit të ‘Top Albania Radio’ për të zbuluar detaje të bukura rreth projekteve të saj muzikore. Atyre hiteve që dëgjohen dhe pëlqehen edhe sot.

1.Jeta nuk është lodër (1996)

Është një këngë që është bazuar në një realitet të një fqinjes time. Imagjinoni të jeni dy shoqe si motra dhe tregonte se si shoqja e ngushtë i kishte marrë burrin.

2. Lozonjare (1997)

Ka qenë një periudhë e dhimbshme, e kujtoj me shumë emocion. Tek festivali më është ofruar kjo këngë, sepse kanë qënë disa vokale të spikatur. Duhet të kishe zë patjetër atëherë, jo të kishe gjoks…

3. Ti nuk je (2003)

Kjo këngë i është dedikuar ish-burrit tim, i cili ka qënë i arrestuar për 7 vjet. Në atë situatë të vështirë fillova të njoh jetën. Më futi në një depresion për dy vite kjo gjë dhe u riktheva pas katër vitesh pa kënduar.

4. Loçka jeme (2005)

I dedikohet Kosovës, e dua t’i uroj shumë suksese! Është krijuar nga kompozitori Adrian Hila. Ka qënë shumë e përhapur nëpër Kosovë dhe jam krenare për këtë këngë.

5. Asjëherë (2013)

I thash Kledit, për të qarë jam nona, më bëj një këngë për të qarë e të mbarojmë punë… Kjo këngë do të jetojë përgjithmonë.

6. Fajtor nga pafajsia ft Anxhelina (2005)

I është dedikuar nënave që kanë humbur djemtë e tyre. Do të jetë një histori që nuk do ta harroj kurrë. Gjatë periudhës që merrja leksione, Anxhelina tregonte gjithmonë interes, ndërsa Agnesa mbyllte dyert. Ndihet dukshëm një zë fëmijënor, por melodioz.

7. Me dorën shtrirë (2015)

Ka qënë një zë për të gjithë shtetet që kanë diçka në dorë për të ndryshuar jetën e të varfërve dhe për biznesmenët që t’i shtrinë dorën atyre që kanë nevojë.

8. Ku ta gjej dikë ta dua (2019)

Nuk është e lehtë, por dashuria ndonjëherë të vjen dhe nuk ka recetë. Mund të të vijë dhe nga një person rastësisht. Unë besoj shumë në univers dhev ai bën punën e tij.