Duhani, alkooli, ushqimet e përpunuara (UPF) dhe lëndët djegëse fosile vrasin 2.7 milionë njerëz në vit në Europë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila u ka bërë thirrje qeverive të vendosin rregulla më të ashpra për produktet që dëmtojnë shëndetin. Në një raport, OBSH tha se industritë e fuqishme po nxisin sëmundjet dhe vdekjen e parakohshme duke përdorur marketingun “mashtrues”.
Sipas raportit të ri, duhani, lëndët djegëse fosile, ushqimet e përpunuara dhe alkooli janë përgjegjës për më shumë se 7,400 vdekje çdo ditë në 53 shtetet e Europës. Në përgjithësi, rreth 2.7 milionë persona vdesin në vit në Europë. Shifrat pasojnë një studim të vitit 2023, i cili zbuloi se alkooli, duhani, ushqimet dhe pijet e përpunuara dhe lëndët djegëse fosile shkaktuan 19 milionë vdekje në vit globalisht, ose 34% të të gjitha vdekjeve.
OBSH vlerëson se duhani shkakton më shumë se 1 milion vdekje në vit, 10% e të gjitha vdekjeve në Europë. Gati 600,000 persona vdesin çdo vit nga lëndët djegëse fosile (5% e të gjitha vdekjeve), ndërsa alkooli shkakton më shumë se 400,000 vdekje në vit. Më shumë se 350,000 njerëz vdesin çdo vit nga konsumimi i tepërt i mishit të përpunuar, pijeve me sheqer dhe ushqimeve të yndyrshme dhe të kripura.
Sipas një raporti të OBSH-së për Europën shkalla e përdorimit të alkoolit dhe cigareve elektronike në mesin e moshave nga 11 deri në 15 vjeç është alarmante. “Përdorimi i gjerë i substancave të dëmshme nga fëmijët në shumë vende të rajonit europian dhe më gjerë është një kërcënim serioz për shëndetin publik”-tha drejtori rajonal i OBSH-së për Europën Hans Kluge.
Ai bëri thirrje për rritjen e taksave, kufizime në pikat e shitjes dhe reklamat, si dhe ndalimin e aromatizuesve në cigaret elektronike. Pas viteve të përdorimit në rënie të substancave psikoaktive, disa prova sugjerojnë se pandemia e Covid-19 ka çuar në një rritje të re të përdorimit, zbuloi raporti, i cili mblodhi të dhëna nga 280,000 të rinj në Europë, Azinë Qendrore dhe Kanada.