Rajoni

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës, mesazhet e liderëve në seancën solemne të Kuvendit!

Nisi me ekzekutimin e himnit kombëtar e atij shtetëror, si dhe me një minutë heshtje në nderim të të rënëve, seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në vend, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte “triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”. Në fjalimin para deputetëve, vuri në dukje se Aleanca solli mesazhin se nuk e kishte harruar Kosovën.

Ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë, ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishe harruar për popullin e Kosovës, dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë.

Po ashtu, Osmani theksoi se sot Kosova e meriton të jetë pjesë e aleancës së NATO-s. Kryeministri Albin Kurti u shpreh:

Sot e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar së bashku me aleatët tanë, njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit. Dëshiroj që në Kosovën tonë demokratike, pikërisht pse kemi humbur dhe vuajtur kaq shumë, të gjithë qytetarët pa dallim etnie, të gëzojnë e të fitojnë. Shumica shqiptare, bashkë me pakicat serbe, boshnjake, turke, ashkalinjtë, romët, egjiptianët, por edhe me kroatët dhe malazezët.

Sikur atëherë dhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë, kurse shteti jonë Kosova, bashkë me Shqipërinë, ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara, me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Francën Italinë dhe vendet e tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ynë ushtarak, shtoi Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se shteti serb kishte “vetëm një synim: shfarosjen e një populli të tërë” nga territori dhe përmes krimeve të cilat “morën përmasën e gjenocidit”.

Për ne, Serbia mbeti e njëjtë, pavarësisht a u quajt dikur Mbretëri Jugosllave, a u quajt pastaj Jugosllavi Federative a Socialiste. Politikat e shtypjes, e dëbimit, e shpronësimeve, e diskriminimi dhe e nënçmimit, kanë qene tipari konstant i secilit prej këtyre regjimeve.

Seancës iu bashkua dhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, i cili luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen “krim kundër njerëzimit”. Mes pjesëmarrësve edhe presidenti Bajram Begaj e ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.