Aktualitet Rajoni

25-vjetori i Çlirimit të Kosovës, Begaj: Shqiptarët të ruajnë kohezionin kombëtar e social!

Në Kuvendin e Kosovës ku mbajti një fjalim në 25-vjetorin e Çlirimit nga forcat serbe, presidenti Bajram Begaj tha se “shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe social kulturor edhe sot, në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës”.

Ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare. Shqipëria do të vazhdoj të lobojë për Kosovën për njohje të reja dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, u shpreh se Bashkimi Europian është shtëpi e përbashkët e rajonit dhe NATO, “ombrellë e përbashkët e sigurisë, si dhe ekonomike”.

Pikërisht këtë po e theksoj këtu, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, duke shënuar 25 vjet nga çlirimi i Kosovës, para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të aleancës së NATO-s dhe SHBA-së. Edhe pse mendohej se koha më e vështirë ka kaluar, ende ka nevojë për veprim e prani të bashkësisë ndërkombëtare në rajon, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë-Hercegovinë.

Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm të përballemi me shumë sfida, në fakt sfida të vjetra që janë ridizajnuar. Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, ka ende kërcënime dhe rreziqe nga të ashtuquajturat projekte megashtetërore. Paqja dhe stabiliteti duhet të jenë vendet tona të shenjta që duhet të sigurojnë prosperitetin e të gjithëve ne. Përgjigja më e mirë për të gjitha sfidat dhe kërcënimet është perspektiva euroatlantike.

Seancës solemne të organizuar sot, iu bashkua dhe shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, i cili luajti rol kyç në dokumentimin e masakrës në Reçak të Shtimes, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit 1999. Walker e cilësoi ngjarjen “krim kundër njerëzimit”.

Në platformën X, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton shkroi se ndihet mirënjohës për 25 vjet paqe.