Bota

25 të vrarë pas sulmeve izraelite në Gaza!

Të paktën 25 palestinezë u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite bombarduan tendat ku strehohen njerëz të zhvendosur në zonën Al-Mawasi në perëndim të qytetit Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i atyre që humbën jetën nga sulmi izraelit në tendat në zonën Al-Mawasi u rrit në 25, me 50 të tjerë të plagosur.

Më herët, burime mjekësore i thanë agjencisë Anadolu se ekipet e shpëtimit gjetën trupat e 18 viktimave dhe ofruan trajtime për 35 persona të plagosur pasi tanket izraelite shënjestruan kampin e njerëzve të zhvendosur.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze konfirmoi sulmin në një deklaratë, duke vënë në dukje se ekipet e saj mjekësore “po trajtojnë një numër të madh viktimash pas bombardimeve izraelite në zonë”.

Dy tanke izraelite të pozicionuara në një kodër përballë zonës Shakoush, në perëndim të Rafahut, qëlluan me predha artilerie në një zonë me grumbullim të njerëzve të zhvendosur pranë portës së spitalit fushor të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke çuar në viktima të shumta.

Autombulancat shkuan në vendngjarje për të transportuar të vdekurit dhe të plagosurit në spitalet fushore dhe operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar. Granatimet bënë që tendat të marrin flakë, duke përhapur frikë dhe panik te të zhvendosurit. Siç përshkruajnë dëshmitarët, shumë nga tendat u zhvendosën në veri drejt Khan Younisit.

Ushtria izraelite ka udhëzuar personat e zhvendosur palestinezë që të mblidhen në brezin bregdetar Al-Mawasi, duke pretenduar se është një “zonë e sigurt”. Kjo zonë shtrihet 12 kilometra përgjatë bregut të Mesdheut dhe një kilometër në brendësi.

Rajoni i Al-Mawasi ka mungesë të infrastrukturës rezidenciale, pa sisteme të ujërave të zeza, linja elektrike ose rrjete komunikimi. Pjesa më e madhe e tokës është e ndarë në serra bujqësore ose hapësira ranore.

Njerëzit e zhvendosur që jetojnë në zonë përballen me kushte të rënda, me mungesa të rënda të burimeve bazë si uji, kanalizimet, kujdesi mjekësor dhe ushqimi.