Burimet njerëzore nuk janë shqetësim madhor vetëm për sektorin privat, por edhe për administratën shtetërore, për të cilën gjithmonë kishte mbikërkesë për punë deri para pandemisë. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, plani i punës në drejtim të kontrolleve dhe inspektimeve, nuk u përmbush vitin e kaluar.
“Kjo për shkak se gati një katërta e organikës nuk ishte e plotësuar me punonjës, referoi Kontrolli i Lartë Shtetit në raportin për buxhetin faktik të vitit 2023 përgatitur për Kuvendin e Shqipërisë.
Në dhjetor 2023 administrata tatimore kishte 338 vende pune vakante nga 1450 gjithsej ose 23% e organikës së paplotësuar.
Gjithashtu, konstatohet se DPT-ja ka 71 procese gjyqësore të hapura për largimet nga puna. Vitin e kaluar, administrata tatimore ishte në ristrukturim organizativ sipas një VKM-je që u miratua në maj 2023.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një stok të lartë të kontrolleve të papërfunduara.
Nga 2017-ta e deri më 2023-shin janë 805 kontrolle të pezulluara, të pafilluara ose që vijojnë në proces: 109 kontrolle të pafilluara, 47 kontrolle të pezulluara, 432 kontrolle në fazë projekt raporti, 201 kontrolle dërguar projekt raporti, 14 kontrolle pritet observacion nga subjekti dhe 2 kontrolle në fazë raporti përfundimtar.
Mungesa e personelit ka ndikuar në eficiencën e institucionit. Gjendja e detyrimeve tatimore të papaguara në fund të vitit 2023 rezulton në vlerën rreth 155 miliardë lekë (1,5 miliardë euro). Detyrimi është 61%, gjobë 34% dhe interesat 5%.
Ky detyrim iu përket 182,490 subjekteve, me rritje vjetore prej rreth 8,3 miliardë lekësh e me një ulje 1,467 subjekte debitorë. Detyrimet më të mëdha i përkasin TVSH-së e në vijim tatim fitimi, sigurimet, etj.
55% e detyrimeve të prapambetura tatimore janë të periudhës mbi 5 vjeçare dhe vetëm 10%, deri në 1 vit.
KLSH vë në dukje se ka një vështirësi të konsiderueshme në vjeljen e këtij borxhi, pasi 74% e vlerës iu përket subjekteve pasive dhe vetëm 26% atyre aktive. Sipas KLSH-së, situata e mësipërme është si pasojë edhe se DPT-ja ka ushtruar masa shtrënguese të pakta duke pasur parasysh numrin e subjekteve me detyrime të prapambetura dhe se këto masa shtrënguese janë të përsëritura për një numër të konsiderueshëm rastesh.
Me mungesë personeli është edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Nga auditimi i menaxhimit dhe administrimit të burimeve njerëzore është konstatuar se administrata doganore ka pasur 118 pozicione vakante pune gjatë vitit 2023 nga 1074 në strukturë gjithsej ose 11%, me rritje krahasuar me 2022-shin, si dhe 278 transferime të përkohshme punonjësish, duke cënuar ndjeshëm performancën institucionale të administratës fiskale doganore./Monitor