Aktualitet

21 vatra zjarri në 24 orë, tre prej tyre ende aktive!

21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit, në territorin e vendit ku 18 prej tyre janë shuar nga qindra forca operacionale që po punojnë në terren.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi thotë se sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, 3 vatra zjarri janë ende aktive.

Efektivët e Forcave të Armatosura e Forcat Zjarrfikëse, së bashku me ato të shërbimit pyjor po punojnë për izolimin e plotë të vatrës në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër. Puna ka vazhduar për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Shënmëri të bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm. Për shkak të temperaturave, terrenit të vështirë dhe erës së fortë zjarri dje në këtë zonë mori përmasa të mëdha duke përkeqësuar situatën në fshatrat Dhuvjan, Goranxi dhe Derviçan.

“Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, sa herë kërkohet ndërhyrja e tyre. Ju lutemi banorëve të bashkëpunojnë me autoritetet vendore, duke raportuar në kohë vatrat e zjarrit, për të shmangur përhapjen në sipërfaqe më të gjera!”, shkruan në një postim në Facebook ministri Peleshi.