Aktualitet

“21 Janari”, dëshmojnë në SPAK familjarët e të vrarit Aleks Nika!

21 Janari 2011, sot në SPAK dëshmojnë bashkëshortja e xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej katër viktimave të protestës që u përgjak në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. E para e nisi Rajmonda Nika për t’u pasuar prej mesdite nga Mark Nika. Ata thirren si persona që kanë dijeni e për të dhënë detaje në lidhje me hetimin, pas rihapjes së tij.

Pas një viti të kundërshtive gjyqësore nga Rajmonda Nika, SPAK-u iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 Janarin”. Edhe pse në denoncim përmenden ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, Prokuroria e Posaçme e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp, SPAK-u thotë: 

U regjistrua procedimi për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi dyshohet se mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës.

Siç dhe e urdhëron Gjykata e Lartë, SPAK-u deklarohet kompetent për këto hetime e kërkon të tërheqë fashikujt e 21 Janarit pranë Prokurorisë së Tiranës, për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës. Si Gjykata e Lartë, ashtu edhe SPAK-u përmendin vendimin e Gjykatës Europiane, që në nëntor të vitit 2023, tha se “nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës”.

Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011, thuhet se hetimi ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës e jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.

Si probleme të tjera u veçuan fshirja e regjistrimeve e mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit, të tilla si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt rreth Kryeministrisë.

Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim, konstatoi Strasburgu.

Nga vrasja e katër demonstruesve në Tiranë, drejtësia ka zbardhur vetëm të Ziver Veizajt e Faik Myrtajt ndërsa mbeten pa autorë ato të Aleks Nikës e Hekuran Dedës. Por, tani, familjarët e katër viktimave kërkojnë që hetimi të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për t’u qëlluar me armë zjarri.