“21 Janari”, Saimir Tahiri në SPAK për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni. Një ditë më parë, në Prokurorinë e Posaçme u paraqit deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, i cili dha dëshminë po si person që ka dijeni, si një nga organizatorët e protestës së 21 janarit 2011 para Kryeministrisë e ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Në kohën kur në Prokurorinë e Posaçme ka nisur marrja në pyetje e ish-zinxhirit drejtues të Policisë së Shtetit, u mësua se SPAK-u i ka dërguar një kërkesë të dytë Prokurorisë së Tiranës për ngjarjet e 21 janarit me katër të vrarë në protestën e opozitës socialiste të kohës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet.
Burime të sigurta i thanë Top Channel-it se “grupi i hetimit të posaçëm, i drejtuar nga Alfred Shehu ka kërkuar çdo material që disponon organi i akuzës i kryeqytetit, përfshirë nëse ka pasur apo jo urdhër-ndalime të tjera për katër vrasjet në bulevard, që publikisht njihen si kërkesat ndaj “Grupit të zjarrit”, vendimet e shpallura nga drejtuesja dhe dokumentet që lidhen me planin e masave, shoqërimet e protestuesve”.
Një burim i deklaroi TCH-it se “dosja në themel e dërguar SPAK-ut është ajo e hetimit të hapur prej vitesh ku u tentua të zbardhej vrasja e Aleks Nikës” ndërsa vazhdon e pazbardhur edhe vrasja e protestuesit tjetër, Hekuran Deda. Javën e kaluar, SPAK-u pyeti Hysni Burgajn, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 21 janar 2011, si dhe Agron Kuliçajn, zv.drejtor i Përgjithshëm i kohës. Burgaj bëri të ditur se dha dëshminë e tij, pasi u pyet si person që ka dijeni mbi ngjarjen.
Jam thirrur si një person që ka dijeni mbi ngjarjen. Për ato që di rreth ngjarjeve të 21 Janarit, isha i gatshëm. Thashë ato që kisha për të thënë. Policia e Shtetit ka bërë një plan të detajuar masash, kemi zbatuar ligjin, nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve. Nuk kemi pasur urdhër për të reaguar. Si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e saj, policia duroi dhunën ekstreme.
Edhe Kuliçaj iu përgjigj shkurtimisht interesimit të gazetarëve pasi doli nga mjediset e SPAK-ut:
Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 Janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.
Në SPAK, “21 Janari” përfundoi me urdhër të Gjykatës së Lartë pas denoncimit të Rajmonda Nikës, e cila kërkon të hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandant i Gardës së Republikës. Që të tre, pra Berisha, Basha e Prendi pritet që të pyeten pasi të shterohet çdo veprim tjetër hetimor.