Aktualitet

“21 Janari”/Pas Hysni Burgajt, edhe Agron Kuliçaj në SPAK!

Ngjarjet e 21 Janarit 2011 me katër të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, sot në SPAK ishte Agron Kuliçaj, ish-zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në dalje, shkurtimisht, ai iu përgjigj interesimit të gazetarëve duke deklaruar se ofroi sqarime:

Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 Janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Një ditë më parë, po për dosjen e “21 Janarit”, në SPAK dëshmoi ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili bëri të ditur se dha dëshminë e tij, pasi u pyet si person që ka dijeni mbi ngjarjen.

Jam thirrur si një person që ka dijeni mbi ngjarjen. Ato që di rreth ngjarjeve të 21 Janarit, isha i gatshëm. Thashë ato që kisha për të thënë. Policia e Shtetit ka bërë një plan të detajuar masash, kemi zbatuar ligjin, nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve. Nuk kemi pasur urdhër për të reaguar. Si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e saj, policia duroi dhunën ekstreme.