Aktualitet

“21 janari”, Partizani”, flet Dumani: Sali Berisha nën hetim pasuror!

Në një takim me gazetarë, sot Altin Dumani u pyet për disa çështje në duart e SPAK-ut, si hetimet për dosjen “Partizani”, për të cilën Sali Berisha dhe dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi janë në arrest shtëpie. Kreu i Prokurorisë së Posaçme vuri në dukje se dosja do t’i dorëzohet gjykatës kur hetimet të jenë mbyllur plotësisht. Dumani bëri të ditur se u grumbulluan të gjitha provat.

– A ka hetim pasuror ndaj Berishës?

Dumani: Janë bërë hetime pasurore.

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë dha vendimin edhe lidhur me vrasjet e 21 janarit 2011, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në protestën e opozitës socialiste.

– Por, si do procedohet?

Dumani: Materialet depozitohen dhe patjetër lind nevoja për koordinim me prokurorinë e Tiranës.

Me zbardhjen e vendimit për 21 janarin, tashmë SPAK është i detyruar që menjëherë të regjistrojë kallëzimin ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe ish- komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, të akuzuar nga trashëgimtarët e katër të vrarëve të 21 janarit.

Së bashku me arsyet se përse Prokuroria e Posaçme nuk duhej të ishte mjaftuar me një shkresë të 24 shkurtit 2023, ku delegonte çështjen për hetime atje ku ajo nuk kishte pasur rezultat, ky vendim do të thotë se ndaj SPAK-ut, tani ngarkohet detyra tjetër për ta tërhequr dosjen prej organit të akuzës së kryeqytetit.

Në takimin e mbyllur me gazetarët, po ashtu, Altin Dumani u pyet e dha detaje lidhur me numrin e personave të hetuar nga Prokuroria e Posaçme e që dyshohet se gjenden në Dubai.

Dumani zbuloi se SPAK-u ka nën hetim shtatë vetë, që dyshohet se ndodhen atje, por nuk zbuloi emra konkretë, për të mos penguar hetimin.

– A ka bërë SPAK-u një skanim se sa persona janë në kërkim dhe strehohen në Dubai?

Dumani: Po, për llogarinë e SPAK-ut janë shtatë persona që dyshohet se gjenden në Dubai.

Një tjetër pyetje lidhej me ish-ministrin Arben Ahmetaj e sa i përket ekstradimit të tij nga Zvicra. Dumani vuri në dukje se për kërkesat për ekstradim, i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë.

Më pas, kjo ministri merret me procedurat. Ne i dërgojmë të gjithë materialet. Megjithatë janë autoritet zvicerane që do të marrin një vendim.