Aktualitet

2.5 milion euro të investuara nga BE-ja në 19 bashki të vendit!

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë organizoi në Shkodër një aktivitet në kuadër të projektit “EU 4 Municipalities” (BE për Bashkitë). Aktiviteti shënoi një moment të rëndësishëm të mbështetjes së Unionit për pushtetin vendor të Shqipërisë. Me mbi 2.5 milion euro të investuara në 19 bashki, ky program ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve lokale, duke numëruar rreth 50 mijë qytetarë përfitues, shumica të rinj.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh i lumtur për shpalljen e një fazë të re me një buxhet të katërfishuar prej 10 milion eurosh e që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë shqiptarët.

Qeveritë vendore janë aktorët kryesorë në procesin e integrimit në BE pasi ato krijojnë dhe menaxhojnë një pjesë të madhe të hapësirave dhe shërbimeve publike që përcaktojnë cilësinë e jetës së shqiptarëve si qytetarë të ardhshëm të BE-së.

Në Shkodër diskutuam se si projektet konkrete të zhvillimit të financuara nga BE-ja, në pronësi të komuniteteve lokale e me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme kanë përparuar deri tani. Bashkimi Europian do të vazhdojë të ndihmojë bashkitë shqiptare që të jenë në gjendje të marrin më shumë fonde të BE-së në mënyrë gjithëpërfshirëse duke u angazhuar me shoqërinë civile, sipërmarrësit, grupet rinore dhe komunitetet lokale.

Falë 23 ndërtesave publike lokale të rehabilituara nga programi “BE-ja për Bashkitë”, tani, qytetarët mund të mbështeten në 68 shërbime bashkiake të modernizuara dhe të përmirësuara, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejtë 49.332 anëtarë të komunitetit lokal. 32.787 janë të rinj.

“BE-ja për Bashkitë” është nisma e parë e Unionit në Shqipëri e që ofron mundësi financiare për investime, ekskluzivisht për bashkitë. “BE-ja për Bashkitë” është projekt i ri i financuar nga Bashkimi Europian. Qëllimi tij është të mbështesë potencialin zhvillimor të bashkive dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike e mjedisore të komuniteteve lokale në Shqipëri.

Projekti do të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës vendore duke mundësuar shërbime publike më cilësore e zhvillim ekonomik vendor të qëndrueshëm. Projekti do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe perspektivës për qytetarët shqiptarë në komunitetet e tyre.

Prioritet i projektit “BE-ja për Bashkitë” është mbështetja e proceseve strategjike, të cilat do t’iu mundësojnë aktorëve të qeverisjes lokale të mobilizojnë burimet për të zbatuar planet dhe strategjitë e tyre.

“BE-ja për Bashkitë” do të ndihmojë në krijimin e një praktike më të mirë për qeverisjen vendore dhe qytetarët se si duhet të përcaktohen, konsultohen dhe zbatohen përparësitë e zhvillimit të komuniteteve lokale e roli i drejtpërdrejtë që BE-ja mund të ketë në përmirësimin e qeverisjes dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Përmes mbështetjes së bashkive në Shqipëri, projekti do të ndikojë në zhvillimin dhe rritjen e kontributit të tyre në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.