Aktualitet

15 qytetarë betohen për shtetësinë shqiptare/Veliaj: Jepni kontributin për Tiranën!

Pasi kanë marrë shtetësinë shqiptare, 15 qytetarë u betuan para kryebashkiakut Erion Veliaj. Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj u shpreh se ky është një moment ideal për t’u bashkuar me qytetin, duke theksuar se “sot është në ditët më të mira dhe numëron rreth 1 milion turistë në muaj”.

Krejt papritur, nga një “katund” i vogël ose qytezë me 10 mijë banorë, sot jemi mbi 1 milion. Pra, në 104 vite kryeqytet jemi rritur 104 herë. Sot mjafton të dalësh nga dera e bashkisë dhe shikon se sa turistë ka, rreth 1 milion në muaj.

Imagjinoni se çfarë ndryshimi dhe se çfarë transformimi ka pësuar qyteti çdo vit, duke u rritur dhe duke u bërë më kozmopolitan, më përfaqësues i të gjitha realiteteve dhe i të gjitha prurjeve e kombësive të ndryshme.

Sot në Tiranë kanë rezidencën 144 kombësi. Nga një Tiranë e 91-shit kur ishim vetëm ne tanët, në një Tiranë që sot ka 25 mijë italianë dhe shumë e shumë kombësi të tjera që e quajnë dhe ata shtëpinë e tyre.

Qytetarëve që u betuan, Veliaj iu bëri thirrje që të japin kontributin për Tiranën, për të cilën deklaroi se “gëzon tituj të ndryshëm, falë punës së të gjithëve”. Ndërkaq, tha se “mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë, si një mënyrë modeste për të kontribuar tek energjia e madhe e Tiranës”.

Sot Tirana është presidenca e B40-ës, rrjeti i bashkive të Ballkanit. Para dy vitesh ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës. Nëse keni kontribute për të dhënë për secilin prej tyre titujve, jeni mëse të mirëpritur!

Agjencia Europiane e Mjedisit e renditi Tiranën të 10-tën në të gjitha qytetet e Europës, si qyteti që ka mbjellë më shumë pemë kohët e fundit. Edhe sikur mos të keni ndonjë talent të veçantë, si puna ime, mjafton një lopatë për të mbjellë një pemë kur keni përvjetorin apo kur keni ditëlindjet e fëmijëve. Një mënyre modeste për të thënë se dhashë edhe unë një kontribut tek kjo energjia e madhe e Tiranës.