Një vajzë shkolle është gjetur e vdekur në dhomën e saj të gjumit pas një fushate bullizimi në rrjetet sociale në Uells, u tha sot në hetimin e çështjes.
14-veçarja Megan Evans u gjet e vdekur pas sulmeve verbale të dashakeqësve që kishin krijuar “grupe urrejtjeje në rrjet” ndaj saj, para se të denoncoheshin dhe të fshiheshin nga rrjeti, tha nëna e saj Nicola Harteveld.
Në seancën dëgjimore u tha se disa grupe urrejtjeje ishin krijuar kundër saj në rrjetet Snapchat e Facebook.
Në hetimet u tha se Megan kishte pasur “shpërthime” emocionale në klasë para vetëvrasjes në 2017 por shkolla nuk e trajtoi këtë asnjëherë si problem edhe pse me herët ajo ishte nje nxënëse shembullore.
Zyrtarët e shkollës i tërhiqnin vërejtje shpesh për “parregullsi në uniformën e Megan” por nëna e saj thotë se asnjëherë nuk e kishin informuar për sjelljen e paqëndrueshme në shkollë, u tha në seancën dëgjimore.
“Ata e dinin se Megan nuk ishte më vetvetja, pasi ajo ishte një vajze studiuese dhe me mirësjellje”.
“Ata e dinin se sjellja e saj ishte jashtë karakteri dhe po përkeqësohej, pasi kihste nisur te abuzonte verbalisht me stafin e shkollës, por prindërit nuk u njoftuan”, shton më tej e ëma e viktimës.
Pas një takimi me prindër në shkollë në 7 shkurt 2017 Megan kishte qenë në humor të mirë.
Më vonë atë mbrëmje prindërit e saj u larguan me katër fëmijët e vegjël për të shkuar në Kardif, duke lënë në shtëpi Megan me katër fëmijët e tjerë.
Por rreth orës 22.00 vëllai telefonoi për të thënë se nuk e gjente dot motrën në shtëpi, derisa kuptoi që vajza ishte mbyllur në banjën e katit të sipërm.
Shërbimet e ambulancës që erdhën në vendngjarje nuk arritën të shpëtonin Megan, ndërsa e ëma Nicola tha se ‘nuk e kishte idenë përse Megan të bënte diçka të tillë.’
Në një deklaratë familja e përshkruante Megan inteligjente, të dashur dhe një adoleshente me energji.
Malcolm Duthie, përfaqësues i zyrtarëve të arsimit në Pembrokeshire tha se kishin pyetur miqtë e Megan nëse ajo po bullizohej, dhe ata thanë ‘jo.’
Ai shtonte se shkolla e kishte të veshtirë të zbulonte prova për bullizim online, sidomos në rrjetin Snapchat – ku mesazhet zhduken pas 24 orësh.
Pas vdekjes së Megan, nëna e saj Nicola ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin ndaj shëndetit mendor që po përkeqësohet te fëmijët e adoleshentët, si dhe rreziqet e bullizimit online.
Ajo ka krijuar fondacionin Megan’s Starr për konsultime falas për të rinjtë në zonën e Pembrokeshire. Seanca dëgjimore për ngjarjen vazhdojnë, shkruan rrjeti vendas Daily Mail.