Aktualitet

12 emigrantët e strehuar në Shqipëri kthehen në Itali!

Një anije italiane me 12 emigrantë, të strehuar prej tre ditësh në Shqipëri, sot u largua nga porti i Shëngjinit drejt Italisë, pas urdhrit të djeshëm të Gjykatës së Romës që vendosi rikthimin e tyre në vendin fqinj. Në mëngjes, lanë mjediset e qendrës së pritjes në Gjadër të Lezhës. Dje, Gjykata e Romës shfuqizoi urdhrat për t’i mbajtur në Shqipëri dhe tha se “kanë të drejtë të dërgohen në Itali”.

Refuzimi për të vërtetuar mbajtjen në strukturat dhe zonat shqiptare… ndodh për shkak të pamundësisë për të njohur shtetin e origjinës të personave të ndaluar si shtet të sigurt, deklaroi kryetarja e gjykatës, Luciana Sangiovanni, duke shtuar se “emigrantët kanë të drejtë të sillen në Itali”.

Ishin 16 emigrantë nga Egjipti e Bangladeshi që pasi u shpëtuan në Mesdhe, tre ditë më parë u sollën në vendin tonë me një anije të marinës italiane, grupi i parë i njerëzve të strehuar në qendrën e re në Gjadër, gjithnjë mbështetur në marrëveshjen e nëntorit të kaluar. Katër prej tyre u kthyen në Itali në pak orë, për shkaqe shëndetësore e se ishin të mitur.

Në Shqipëri mund të dërgohen vetëm emigrantët nga një listë me 22 shtete që Italia i cilëson “të sigurta”. Egjipti dhe Bangladeshi janë në mesin e tyre, por “një vendim i fundit i Gjykatës Europiane të Drejtësisë e bën të pamundur që mbahen në Shqipëri”, deklaroi Gjykata e Romës.

Ky vendim i gjykatës paraqet “goditje” për planin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për të dërguar azilkërkuesit jashtë Italisë. Autoritetet italiane thanë se do të ankohen ndaj vendimit që u përshëndet nga grupi Sea Watch. Në Itali pati reagime.

Nëntorin e kaluar, Shqipëria dhe Italia arritën marrëveshje  për strehimin e emigrantëve. Akordi i kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, përcakton që Shqipëria të pranojë deri në 36.000 emigrantë në vit dhe aplikimet e azilit të shqyrtohen në dy qendra në vendin tonë. U vlerësua se marrëveshja 5-vjeçare do t’i kushtojë Italisë 160 milion euro në vit.

Qendra e Shëngjinit do të përdoret për procedura të identifikimit të emigrantëve ndërsa e dyta, në Gjadër, për strehimin derisa të shqyrtohen kërkesat për azil. Qendrat funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë. Gjykatësit do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjeve nga Roma. Italia u zotua t’i strehojë emigrantët që fitojnë azil. Ata që nuk e përfitojnë do të dëbohen direkt nga Shqipëria.