Në Tiranë, sheshi “Skënderbej” u mbush tej e tej me qytetarë në koncertin e mbrëmjes së djeshme me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Festa kulmoi me ngjitjen në skenë të këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, e cila zgjodhi këtë moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët për të zhvilluar koncert në Tiranë.
Së bashku me balerinët, performoi hitet e saj të njohura duke ndezur atmosferën në shesh, ku ishin mbledhur njerëz si kurrë më parë. Të rinjtë që ishin edhe më të shumtët e shoqëruan gjatë gjithë kohës artisten e njohur me origjinë shqiptare, e cila vetëm pak ditë më parë mori dhe shtetësinë shqiptare.
Gjatë koncertit madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, Dua ftoi të gjithë të pranishmit të festojnë së bashku festën e Pavarësisë, ndërsa i falënderoi të gjithë për mbështetjen.
Faleminderit shumë, urime 110 vjetorit të pavarësisë. Faleminderit për suportin, për energjinë që po na jepni sot. Kjo është nata e fundit e turneut, këtu sot përfundojmë në Tiranë me ju. Faleminderit shumë që jeni këtu!
Më pas, Dua Lipa bëri edhe simbolin e shqiponjës dykrenare.
Koncerti i Dua Lipas mbrëmjen e djeshme në sheshin “Skënderbej” mbyll edhe turin e këngëtares më të famshme shqiptare në arenën ndërkombëtare, por që përkon edhe me mbylljen e vitit ku Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë.
Para koncertit, Dua Lipa u pyet për shqiptarët në Britaninë e Madhe e që kohët e fundit po shënjestrohen nga autoritetet duke u etiketuar si “pushtues” të këtij vendi, e si “të lidhur me krimin”, çka solli reagime të ashpra e protesta.
Një fatkeqësi e madhe si shihemi ne në sytë e politikanëve të tjerë, janë fjalë të pakëndshme. Mendoj që kemi nevojë të luftojmë ksenofobinë në botë, është e nevojshme! Ne duhet ta ndryshojmë stigmën që kanë njerëzit ndaj shqiptarëve, kjo është ajo që mund të bëjmë. Kemi nevojë të pranohemi si rezidentë të çdo vendi ku jetojmë!