Bota

11 të vrarë nga një sulm izraelit në Qytetin e Gazës!

Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza njofton se një sulm izraelit goditi një shtëpi në Qytetin e Gazës ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur. Mes 11 personave të vrarë ka gra dhe fëmijë.

Kemi pranuar trupat e 11 personave, përfshirë të katër fëmijëve e tri grave, pasi një avion izraelit goditi shtëpinë trekatëshe të familjes Bustan, tha për AFP-në, Mahmud Bassal, zëdhënësi i kësaj agjencie.

Ai konfirmoi se sulmi ndodhi në orën 01:00, duke shtuar se shtëpia që u shënjestrua gjendet afër një shkolle në lindje të Qytetit të Gazës.

Disa familje po strehoheshin në shtëpinë që u godit me një raketë, pa asnjë paralajmërim, tha Bassal, duke shtuar se ka edhe persona të tjerë të plagosur.

Ushtria izraelite ende nuk e ka komentuar këtë bombardim ajror. Sipas Bassalit, forcat izraelite kanë kryer sulme të tjera në Gazë gjatë natës, duke vrarë edhe dhjetë persona.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë rreth 1 mijë  e 200 persona dhe rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 41 mijë vetë e janë plagosur mijëra të tjerë.

Situata humanitare në Rripin e Gazës është “përtej katastrofës” dhe paralajmërimi bëhet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB. Muajin e kaluar, më shumë se 1 milion persona nuk kanë pranuar asnjë vakt ushqimor në pjesën jugore e qendrore të Gazës përmes ndihmave humanitare, siç njofton zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të ofruar ndihmë shpëtuese për palestinezët. Në mesin e gushtit dhe deri në fund të muajit, 450 mijë vakte ushqimore, të përgatitura në 130 kuzhina, u janë ofruar çdo ditë familjeve në mbarë Rripin e Gazës. Duhet të përsëritet se situata në Gazë vazhdon të jetë përtej katastrofës dhe ne ende nuk i kemi të gjitha kushtet e nevojshme për të mbështetur njerëzit, tha Dujarric.

Disa urdhra për evakuim janë lëshuar nga forcat izraelite, duke detyruar 70 kuzhina që të anulojnë shërbimet e tyre apo edhe të zhvendosen.

Për të dytin muaj me radhë, nuk ka pasur furnizime të mjaftueshme, që nënkupton se familjet në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës kanë pranuar vetëm një racion ushqimor, raportojnë Kombet e Bashkuara.

Edhe dhuna në Bregun Perëndimor është rritur që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Shteti hebraik ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme në vitin 1967.

Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milion palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit ndërsa Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.