Bota

11 të vrarë, 89 të plagosur nga një sulm rus në Ukrainë!

Sulm raketor rus në një godinë banimi në qytetin verilindor Sumi të Ukrainës. 11 viktima, përfshirë dy fëmijë. 89 persona, përfshirë 11 të mitur mbetën të plagosur. Ky sulm pasoi bombardimet e pareshtura ruse kundër rrjetit energjetik të Ukrainës mëngjesin e djeshëm. 120 raketa e 90 dronë iu morën jetëm 7 vetëve.

Edhe Sumi mbeti pa energji elektrike nga një tjetër sulm raketor që goditi rrjetin energjetik. Forca Ajrore e Ukrainës raportoi se ato ruse përdorën raketa të llojit Iskander-M, si dhe një raketë të telekomanduar Kh-59. Më shumë se 400 njerëz u evakuuan nga qyteti i Sumit, sipas shërbimeve të emergjencave.

Foto të postuara në Telegram nga Shërbimi Emergjent Shtetëror i Ukrainës shfaqën zjarrfikësit duke luftuar me zjarret e shkaktuara dhe ndihmuar njerëzit. Prokuroria rajonale e Sumit bëri të ditur se 90 banesa, 28 makina, dy institucione arsimore dhe 13 ndërtesa u dëmtuan.

Administrata Biden hoqi kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, siç thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni mbi këtë çështje.

Ky përbën edhe një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. PO ashtu, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se për herë të parë, presidenti Joe Biden ka miratuar përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi.

Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters-in, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.

Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar 2025, vjen pasi për muaj me radhë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kërkonte që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden pranë kufirit.

Ndërkaq, Ukraina po përballet me vështirësi që të minimizojë humbjet, të mbajë lart moralin e të bindë aleatët se me më shumë ndihmë ushtarake mund ta kthejë rrjedhën e luftës në favor të saj. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, u shpreh se shumë shpejt, ai do t’i japë fund luftës edhe pse nuk është e qartë se si do ta arrijë këtë.