Aktualitet Politikë Rajoni

10 vjetori i Procesit të Berlinit/Rama në takimin e kancelarit Scholz me liderë të rajonit!

Procesi i Berlinit, nisma e nisur në vitin 2014 e që mori jetë nga kancelarja gjermane e kohës, Angela Merkel, sot shënon 10 vjetorin. Aty do bashkohen edhe zyrtarë e përfaqësues të vendeve të BE-së, ndërsa në fokus është thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe axhenda e gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Edi Rama mes liderëve të rajonit që do të mblidhen në Berlin nga kancelari Olaf Scholz.

Në një intervistë për agjencinë Reuters, para samitit, kryeministri Rama u shpreh optimist se aty do të sqarohen polemikat e ngritura lidhur me Marrëveshjen e zgjeruar të Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore. Rama vuri në dukje se do të jetë e rëndësishme të rregullojnë mekanizmin e CEFTA-s.

Ky është përfitimi pozitiv nga Procesi i Berlinit, që na mban të gjithëve në shina.

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Scholz dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Axhenda njëditore përfshin takime e bisedime të ngjeshura në disa fusha, mes tyre forume dhe nënshkrim marrëveshjeje.

Herët në mëngjes, dita do të nisë me pritjen e rezervuar për delegacionet nga kancelari Scholz. Hapja pritet të bëhet po nga Scholz, për të vijuar në orën 10:00 me çeljen e temës së parë, “Bashkëpunimi rajonal dhe tregu i përbashkët rajonal”.

Në pjesën e dytë do të diskutohet tema e “Gjelbërt, Ligjshmëria dhe Energjia”. Do të vijohet me ceremoninë e nënshkrimit, për të kaluar në orën 13:00 në “Diskutimin me përfaqësues të Forumit Rinor dhe Shoqërisë Civile”.

Në orën 14:00, do të mbahet edhe tematika e fundit “E ardhmja e Procesit të Berlinit” dhe në fund organizohet konferenca e shtypit.

Samiti më i fundit i Procesit të Berlinit u mbajt më 16 tetor të vitit të kaluar në Tiranë, për herë të parë jashtë kufijve të një vendi të Bashkimit Europian.