Aktualitet Rajoni

10 vjet Procesi i Berlinit/A janë arritur objektivat?

Liderë të Ballkanit Perëndimor, mes tyre kryeministri Rama dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, sot mblidhen në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, për të diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. Rama u shpreh optimist se aty do të sqarohen polemikat e ngritura lidhur me Marrëveshjen e zgjeruar të Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore.

I organizuar prej 2014-ës, Procesi i Berlinit nuk ka strukturë fikse, pra një mekanizëm qendror koordinues dhe mbahet në vende të ndryshme. Ndër vite, takimet janë zhvilluar në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan. Nuk ka as mekanizëm ndëshkues. Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit ndihmon Ballkanin Perëndimor dhe qytetarët e tij të jenë më afër me njëri-tjetrin”. Por, sa është arritur ky objektiv?

E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale. Por marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, me raste janë konsideruar pengesë në zbatimin e disa marrëveshjeve. Edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Bosnjë-Hercegovina ka penguar akorde të tjera. Një prej tyre është ai për lëvizjen e lirë. Banorët e të dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza.

Synimet kryesore

Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, që rajoni të ketë standarde europiane dhe që qytetarët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.

Nisma është fokusuar në zhvillim ekonomik, sigurinë energjetike, axhendën e gjelbër, partneritetin për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.

Mes marrëveshjeve më të njohura janë Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Axhenda e Lirshmërisë, për përshpejtim të rritjes ekonomike e krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve e mallrave. Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.

Ndër vite është arritur marrëveshja për “roaming”-un apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë celulare dhe internetin, duke hyrë në fuqi vitin e kaluar.

Lidhur me takimin e sotëm, njohësit e çështjeve politike përmendin prezantimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2. Rruga për arritjen e marrëveshjes u zhbllokua pasi ditë më parë, Kosova i hoqi një ndalesë mallrave nga Serbia, në pikëkalimin e Merdares.

Sidomos zyrtarët gjermanë i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që ta hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale./Radio Evropa e Lirë