Aktualitet

1 vjetori i sulmit të Hamasit, Von der Leyen: Zemrat tona janë me komunitetet hebreje!

Në përvjetorin e parë të sulmit terrorist ndaj Izraelit nga grupi islamik palestinez Hamas, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “zemrat tona janë gjithashtu me komunitetet hebraike në mbarë botën”.

Në këtë përvjetor tragjik, dua të nderoj kujtimet e viktimave. BE-ja qëndron me të gjithë njerëzit e pafajshëm, jetët e të cilëve janë shkatërruar deri në palcë që nga ajo ditë fatale. Sulmi i Hamasit solli vuajtje të pamasë jo vetëm për popullin e Izraelit, por edhe për palestinezët e pafajshëm.

Von der Leyen përsëriti thirrjen e BE-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza e lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve. Gjithashtu, premtoi ndihmë financiare për popullin palestinez e për Libanin.

Incidentet antisemite ishin në rritje. Do të ketë më shumë burime për të trajtuar këtë çështje.

Sot në 1-vjetorin e sulmit tragjik terrorist të Hamasit në Izrael, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri thirrje që të gjitha palët të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, që garanton paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Ministri Hasani konfirmoi se “Shqipëria është e vendosur në thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.

Sulmi i Hamasit konsiderohet masakra më e madhe antisemite e shekullit. Si hakmarrje, Izraeli nisi një operacion ushtarak që deri tani ka vrarë të paktën 41 mijë e 825 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, referuar shifrave të qeverisë së Gazës të udhëhequr nga Hamasi. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për t’i dhënë fund “dhunës tronditëse”, si dhe “gjakderdhjes” në Gaza e në Liban.

Pamjet e terroristëve në kamionçina që gjuanin me breshëri pa dallim mbi civilët në rrugë dukej se vinin nga një qytet fatkeq arab i sulmuar nga ISIS-i. Por, vendi ishte Sderot, qytet izraelit afër kufirit me Gazën, kryesisht i banuar nga hebrenj me origjinë nga Maroku, Rumania, Rusia e Kurdistani.

Tashmë pas një viti nga sulmi i Hamasit, ekonomia e Izraelit është në alarm të kuq, turizmi nuk është më, të rinjtë janë në batalionet që luftojnë në Gaza dhe në kufirin me Libanin. Shumë banorë, mijëra, janë larguar nga shteti hebre, duke zgjedhur të kthehen për të jetuar në Evropë, në vendet ku kanë edhe shtetësinë. Shumë të tjerë po mendojnë për këtë.