Rajoni

1-vjetori i Banjskës, BE-ja: Përgjegjësit duhet të japin llogari!

Bashkimi Europian reagoi sot dhe deklaroi se nga Serbia po pret që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, të japin llogari.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u ekzekutuan edhe tre sulmues serbë nga forcat e rendit.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe vazhdimisht akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Por, Beogradi i mohon akuzat. Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave në lidhje me këtë sulm.

Përgjegjësinë për atë që ndodhi e mori Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria kosovare, Radojiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse a duhet që Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në proceset gjyqësore që do ta pasojnë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha:

Po, kjo është ajo që ne kemi nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme për ato raste ku autorët e dyshuar janë në Kosovë.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radojiçiçin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë shprehen se ato i kanë ofruar mbrojtje. Stano shtoi edhe se “Serbia duhet që të bëjë më shumë në lidhje me të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj mediave e qytetarëve, në trazirat e muajit maj të vitit të kaluar në veri”.

Në mënyrë të përsëritur, Bashkimi Europian ka shprehur pritshmëritë që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht e të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të kapur dhe për t’i sjellë shpejt para drejtësisë autorët e akteve të dhunës nga ana e protestuesve serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj të vitit 2023. Gjithashtu, edhe për sulmet e dhunshme më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës.