Sot në 1-vjetorin e sulmit tragjik terrorist të Hamasit në Izrael, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri thirrje që të gjitha palët të punojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse, që garanton paqe e stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Ministri Hasani konfirmoi se “Shqipëria është e vendosur në thirrjen e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.
Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë të palëkundur për ata që janë ende në robëri dhe të dashurit e tyre.
Sulmi i Hamasit konsiderohet masakra më e madhe antisemite e shekullit. Mëngjesin e 7 tetorit 2023, Hamasi organizoi një sulm në festivalin e muzikës Nova në Izrael, ku u masakruan më shumë se 350 të rinj mes më shumë se 1 mijë e 200 viktimave e 250 të lënduarve.
Pamjet e terroristëve në kamionçina që gjuanin me breshëri pa dallim mbi civilët në rrugë dukej se vinin nga një qytet fatkeq arab i sulmuar nga ISIS-i. Por, vendi ishte Sderot, qytet izraelit afër kufirit me Gazën, kryesisht i banuar nga hebrenj me origjinë nga Maroku, Rumania, Rusia e Kurdistani.
Tashmë pas një viti nga sulmi i Hamasit, ekonomia e Izraelit është në alarm të kuq, turizmi nuk është më, të rinjtë janë në batalionet që luftojnë në Gaza dhe në kufirin me Libanin. Shumë banorë, mijëra, janë larguar nga shteti hebre, duke zgjedhur të kthehen për të jetuar në Evropë, në vendet ku kanë edhe shtetësinë. Shumë të tjerë po mendojnë për këtë.
Nga 251 personat e rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit, 97 ende janë pengje në Gaza, duke përfshirë 64 të supozuar të gjallë e 33 të vdekur. Numri i të vrarëve nga sulmi i Hamasit në tokën izraelite është 1 mijë e 205, shumica civilë, sipas një numërimi të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare izraelite, përfshirë pengjet që vdiqën ose u vranë në robëri në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi.
Si hakmarrje, Izraeli nisi një operacion ushtarak që deri tani ka vrarë të paktën 41 mijë e 825 njerëz në Gaza, kryesisht civilë, referuar shifrave të qeverisë së Gazës të udhëhequr nga Hamasi. Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri thirrje për t’i dhënë fund “dhunës tronditëse”, si dhe “gjakderdhjes” në Gaza e në Liban.