Aktualitet

1 Qershori, festë e sensibilizim për fëmijë/Mesazhi i kryebashkiakut Veliaj!

Si në mbarë botën, edhe në vendin tonë, sot festohet 1 Qershori e njohur ndryshe si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. E shpallur që në vitin 1925 nga Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve, që u mbajt në Zvicër, kjo ditë jo vetëm festohet, por po ashtu njihet për sensibilizimin për t’i thënë “JO” dhunës, bullizmit e abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve.

Në vitin 1925, konsulli i Kinës në San Françisko të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mblodhi një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë që të mund të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Ky aktivitet rastisi në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë.

Dita e 1 Qershorit synon që t’u kujtojë të rriturve të mbrojnë fëmijët nga çdo lloj abuzimi e gjithashtu t’u krijojë atyre mundësitë për të ngritur një të ardhme sa më të paqtë. Shumë vende të botës organizojnë festime nga më të ndryshmet e që kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i uroi 1 Qershorin të gjithë fëmijëve në vend. Në një postim, Veliaj theksoi se fëmijët janë frymëzimi për të punuar gjithmonë e më shumë.

Gëzuar 1 Qershorin kalamaja! Ju jeni frymëzimi që ne të punojmë gjithmonë e më shumë për t’ju dhënë një të ardhme plot dashuri dhe mundësi.

Me rastin e 1 Qershorit, një grup të vegjlish pati mundësinë që të vizitonte një nga anijet e Forcës Detare. Me kuriozitetin e fëmijëve, ata u njohën me misionin e Rojës Bregdetare, pajisjet që përdoren gjatë patrullimit në det e me shumë aspekte të tjera.

Me anë të një mesazhi, Ministria e Mbrojtjes uroi që të gjithë fëmijët e ushtarakëve në mbarë Shqipërinë:

Gëzuar 1 Qershorin!

Ministria e Mbrojtjes thekson angazhimin që të mbështesë familjet e efektivëve të Forcave të Armatosura, përmes politikave të reja sociale që kanë nisur të zbatohen. Kjo bëhet për të garantuar një të ardhme të ndritur për fëmijët e Shqipërisë.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi uroi fëmijët me rastin e 1 Qershorit. Në një postim, ministri Peleshi shkruan:

Për ata që janë forca jonë! Për ata që janë e ardhmja e Shqipërisë! Gëzuar 1 Qershorin!