Ledri Vula padyshim është ndër reperët më të mirë të tregut tonë muzikor. Së fundmi ai organizoi një mbrëmje me miqtë dhe kolegët e tij për promovimin e albumit të ri, “G.O.A.T” (Më i miri i të gjitha kohërave). Mbrëmjen e kaluar ai ka qenë i ftuar në “Më lër të flas” në Top Channel, ku tregoi më shumë mbi këtë album dhe jo vetëm…
Pse e titullove albumin “G.O.A.T”, a je ti më i miri i të gjitha kohërave?
Edhe nëse nuk jam, dua të bëhem. Gjithmonë me synimin për të qenë më i miri i të gjitha kohërave. Jam prej 19 vitesh në skenë, vitin tjetër bëhen 20.
Çfarë do të thotë ky album për ty?
Veç kam qejf që të bëj muzikë. E bëj me pikën e pikës së qejfit. Gjithmonë i bëj vetë gjërat në album. Jam munduar të bëj gjëra që gjithmonë kam pasur qejf që t’i bëj. Kam bërë këngë që nga koha kur kam filluar të dëgjoj Hip-Hop e deri tek këngë që akoma nuk kanë dalë, ende është duke u bërë trendi. Kam bërë një larmishmëri të këngëve. Thjesht kam dashur të bëj qejf dhe kaq. Mezi pop res ta performojë live albumin, ajo ka për të qenë eksperiencë e mirë gjatë verës nëpër koncerte. Është edhe festivali Shqip Hop më 8 qershor në Tiranë, aty do e performoj të gjithë albumin live por edhe këngë të vjetra. Mezi po e pres.
A mendon se këtë vit do të fitosh më shumë se vitin që shkoi në koncerte?
Tek pjesa ‘fiton’ janë dy aspekte. Fiton dashuri dhe respekt. Fiton dhe lek. Ndonjëherë të kesh lekët e botës dhe kur shkon të flesh nuk të zë gjumi. Por një koment i mirë mundet që të të ndreqi gjithë ditën. Kështu që sivjet pres të fitoj ndryshe.
A ka ndikuar Sara në suksesin tënd?
Ne kuptohemi shumë mirë. Më ka ndihmuar në shumë momente. E kam lodhur, e kam zgjuar në katër të mëngjesit: ‘a të pëlqen kjo rima?’ (Në promovimin e albumit) kam dashur të shoh vetëm Sarën në sy, kam dashur një kujtim me të.