Bota

1 dhjetor, Dita Botërore kundër HIV-AIDS!

Sot është Dita Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA). E vendosur që në vitin 1988, data përbën një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës. HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, edhe në Shqipëri.

Sipas OKB-së, 37.7 milion njerëz në mbarë botën ishin me HIV në 2020-ën, ndërsa 680 mijë vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n, po vitin e kaluar. Që nga fillimi i shpërthimit të HIV-it, rreth 79.3 milion njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milion kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.

Nga 37.7 milionë njerëz që rezultuan me HIV në vitin 2020, 36 milion ishin të rritur, 53% gra dhe vajza e 84%, në dijeni për gjendjen e tyre. 1 Dhjetori bën bashkë njerëz nga e gjithë bota, për të rritur ndërgjegjësimin për HIV/AIDS-in e për të demonstruar solidaritet ndërkombëtar përballë pandemisë. 1 milion është numri i personave që vdesin çdo vit në botë nga HIV-i, sepse nuk e dinë që kanë HIV dhe nuk marrin mjekim ose e fillojnë mjekimin me vonesë.

Dita Botërore e Luftës Kundër HIV/AIDS-it u propozua fillimisht në muajin gusht të vitit 1987 nga Thomas Netter dhe James W. Bunn, të dy zyrtarë të informimit publik për Programin Global të HIV/AIDS-it në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë. Kjo ditë është një mundësi për partnerët publikë dhe privatë që të rrisin ndërgjegjësimin për pandeminë dhe të inkurajojnë progresin e bërë në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV-it e AIDS-it anembanë botës.

1 Dhjetori është bërë një nga ditët më të njohura ndërkombëtare të shëndetit dhe një mundësi kyçe për të rritur ndërgjegjësimin për të kujtuar ata që kanë humbur jetën dhe për të festuar arritjet, siç është rritja e aksesit ndaj shërbimeve të trajtimit dhe parandalimit.