Lajmet e fundit

Lamtumirë Silvio Berlusconi! Ish-kryeministri italian ndahet nga jeta!

Silvio Berlusconi ndërron jetë. Ish-kryeministri italian, një prej politikanëve më të njohur në Itali e në mbarë botën, mbylli sytë në spitalin San Raffaele në Milano. Pranë tij janë fëmijët Eleonora, Barbara, Marina e Pier Silvio, si dhe vëllai Paolo. I shtruar në spital që nga e premtja, shëndeti i Berlusconi-t ishte përkeqësuar orët e fundit dhe u shua në moshën 86 vjeçe pasi vuante nga leuçemia.

Figura nga i gjithë spektri politik e gjithashtu bota e spektaklit në Itali janë bashkuar në ngushëllimet për këtë humbje dhe po vlerësojnë lart kontributin e tij, si një protagonist absolut që zbriti në terren e ndryshoi politikën italiane.

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllime, për Berlusconi-n, duke iu referuar si një “mik i mirë i Shqipërisë”. Në një postim në rrjetet sociale, shefi i qeverisë shkruan:

Addio Presidente e buon amico dell’Albania!

Lajmi për vdekjen e Silvio Berlusconi-t po bën xhiron e botës, duke hapur faqet e para të mediave kryesore ndërkombëtare. Nga BBC te Guardian, nga CBS te Sky News, nga Al Jazeera te Arab News, nga Le Monde te El Pais, nga Indian Times te Financial Times, nga Deutsche Welle te Jerusalem Post, te Japan Times, të gjithë po japin si lajm të fundit njoftimin për ndarjen nga jeta të ish-shefit të qeverisë italiane.

Një jetë e jashtëzakonshme ajo e Silvio Berlusconit-t, në një rrugëtim me disa etapa nga televizioni, sporti e deri te politika.

Ai ishte një biznesmen miliarder që krijoi kompaninë më të madhe mediatike të Italisë përpara se të transformonte peizazhin politik të vendit fqinj. Berlusconi, i cili për disa dekada ka formësuar jetën politike italiane, arriti të rikthehej në skenën politike italiane nga skandalet seksuale dhe akuzat për korrupsion.

Popullisti i krahut të djathtë ka qenë kryeministër katër herë, me disa pauza, prej vitit 1994 deri më 2011-ën. Po ashtu udhëhoqi partinë e qendrës së djathtë Forza Italia, që shtatorin e kaluar hyri në koalicion me kryeministren Giorgia Meloni, ndërsa ai vetë u zgjodh në Senat.

Berlusconi ka pasur probleme shëndetësore vitet e fundit. Në prill u trajtua për një infeksion të mushkërive të lidhur me një rast të pazbuluar më parë të leuçemisë kronike. Në fund të vitit 2020 u infektua me koronavirus, ndërsa më 2016-ën iu nënshtrua një operacioni në zemër.