Kufjet e shumëpritura të Apple “Vision Pro” do të dalin në shitje në SHBA duke filluar nga 2 shkurti. Porositë për kufjet me teknologji të avancuar do të fillojnë më 19 janar. Siç raportohet, pajisjet do të jenë të disponueshme për t’u blerë në të gjitha pikat e Apple në SHBA, si dhe përmes dyqanit online të kompanisë. Kufjet Apple Vision Pro u prezantuan në qershor të vitit të kaluar në Konferencën Botërore të Zhvilluesve (WWDC) 2023. Pajisjet kanë teknologji të realitetit të shtuar (AR) dhe realitetit virtual (VR) dhe funksionojnë me sistemin operativ visionOS.
Ndërkaq, si me të gjitha produktet e tjera, edhe për Vision Pro do të ketë pengesa në marrjen e porosive të para. Kjo ndoshta është edhe më e zbatueshme për kufjet e reja pasi analistët kanë parashikuar mungesa të harduerit dhe disponueshmëri fillestare të kufizuar për produktin.
Gjithashtu, procesi fillestar për porositjen e kufjeve do të kërkojë një skanim të fytyrës Face ID me një pajisje tjetër nga Apple. Pra blerësit e mundshëm duhet të kenë gati një iPhone ose iPad për të kaluar procesin e blerjes. Apple duket se dëshiron patjetër që Vision Pro të jetë një pajisje personale dhe e përshtatshme, por jo lehtë e ndarë me të tjerët. Kufjet Vision Pro fillimisht do të jenë të disponueshme në tregjet amerikane me një variant prej 256 GB për 3,499 dollarë.