Politikë

Denoncon PL: Ilir Metës i ndalohet stërvitja në burg për 10 ditë! Po i cenohet liria e fjalës…

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi gjatë një konference për shtyp deklaroi se Drejtoria e Burgjeve ka marrë një masë disiplinore ndaj kryetarit të PL, Ilir Meta, e cila sipas tij është krejtësisht qesharake.

Blushi njoftoi se kreu i PL është ndaluar të marrë pjesë në aktivitete sportive për 10 ditë në ambientet e burgut 313, për shkak të intervistës që dha për mediat.

“Partia e Lirisë dënon me forcë edhe përpjekjen kriminale të Narkoregjimit, që pasi i kufizoi lirinë e lëvizjes duke e izoluar padrejtësisht, në mënyrë krejtësisht qesharake po tenton t’i heqë Presidentit Meta edhe të lirinë dhe të drejtën e fjalës për të komunikuar me gazetarët.  Rasti me qesharak, ndodhi sot kur Komisioni Disiplinor i IEPV “Jordan Misja” dënoi Presidentin Meta me 10 ditë për të mos ushtruar aktivitete sportive në ambientet e paraburgimit vetëm pse pak ditë më parë realizoi live një intervistë.

Këto praktika sa qesharake, po aq të neveritshme dhe represive, dëshmojnë fytyrën e vërtetë dhe degradimin e Narkoregjimit, që me ndihmën e SPAK po bëjnë çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës. Presidenti Meta në krye të Partisë së Lirisë po drejton me vendosmëri dhe efiçiencë të plotë politike aktivitetin dhe qendrimet e saj politike, me gjithe kushtet e izolimit ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga Narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurre lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura.

Partia e Lirisë është totalisht në krah të Presidentit te saj Meta në këtë betejë parimore për liri, demokraci, llogaridhënie, transparencë, drejtësi të vërtetë dhe shtet ligjor në Shqipëri dhe më e vendosur në mbrojtje të kauzave të saj madhore, për të çmontuar këtë axhendë kriminale, sorosiste dhe mafioze për pengmarrjen e plotë të vendit nga Narkoregjimi“, tha Blushi.